Trupat e të paktën 20 burrave civilë janë gjetur të shtrirë nëpër rrugët e qytetit ukrainas, Bucha, pas tërheqjes së forcave ruse nga zona. Sipac CNN, imazhet e publikuara nga AFP të shtunën janë mjaft tronditëse.
“Tre prej tyre janë të ngatërruar në biçikleta pasi kanë bërë udhëtimin e tyre të fundit, ndërsa të tjerët, kanë rënë pranë makinave të goditura nga plumbat”- thanë gazetarët e AFP-së.
Një kufomë mund të shihet me duart e lidhura pas shpine me një leckë të bardhë. Kryetari i bashkisë së Buçës, Anatoliy Fedoruk, tha se civilët e vdekur ishin keqtrajtuar nga forcat ruse.
“Trupat e të ekzekutuarve janë ende në rrugën Yabluska në Bucha. Duart e tyre janë të lidhura pas shpine me lecka të bardha ‘civile’, ata u qëlluan pas kokës. Kështu që ju mund ta imagjinoni se çfarë lloj paligjshmërie kanë kryer këtu,”- tha Fedoruk.
Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha në një postim në Twitter se trupat e burrave të gjetur me duar të lidhura, u qëlluan për vdekje nga ushtarët rusë.
“Këta njerëz nuk ishin në ushtri. Ata nuk kishin armë. Ata nuk përbënin asnjë kërcënim. Sa raste të tjera të tilla po ndodhin tani në territoret e pushtuara?”-tha Podolyak.
Forcat ruse u tërhoqën nga disa qytete afër Kievit ditët e fundit pasi dështoi përpjekja e Moskës për të rrethuar kryeqytetin, me Ukrainën që deklaroi se Bucha ishte “çliruar”.
/b.h