Nga Ylli Pata
Mbyllja e muajit mars, që pati si thelb të tij zgjedhjet që sollën trazirat në Partinë Demokratike nuk ka sjellë asnjë gjë të re përveç largimit të Lulzim Bashës.
Njerëzit e Foltores, të cilët morën kurajo nga rezultati i 6 marsit, ata po përjetojnë një krizë edhe më të madhe se ata që pësuan organet e krijuara nga Lulzim Basha pas shizmës me Berishës.
Foltorja dhe Komisioni i Rithemelimit tashmë nuk ekzistojnë, pasi menjëherë pas 6 marsit e sidomos pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, në PD ka nisur një revansh i Sali Berishës dhe njerëzve të enturazhit të tij, të cilët publikisht nuk kanë qenë pjesë e Foltores.
E çfarë është më e çuditshmja, i gjithë ky revansh bazohet në një vendim të një gjyqtari të gjykatës së shkallës së parë të Tiranës, si Agron Shukri, i cili është një vendim totalisht absurd.
Përveçse një person me konflikt të pastër interesi me Sali Berishën, pasi ka qenë familjarisht pjesë e aparatit ekzekutiv të tij, vendimi që ka marrë Zhukri nuk ka asnjë lidhje me ligjshmërinë e një organizate politike.
Vendimi nuk ka bërë asnjë verifikim të anëtarëve të “Kuvendit” të 11 dhjetorit të vitit të shkuar në Air Albania. Asnjë pjesë e këtij vendimi nuk merret për të shpjeguar se a janë njerëzit që janë ulur në shkallët e atij stadium, anëtar të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Së paku, a janë depozituar në gjykatë firmat e anëtarëve? i verifikoi kush? A i ballafaqoi kush provat e dërguara nga njerëzit e Berishës? Normalisht askush sepse nuk ka dokumentacion të tillë. Pasi nuk ka një hetim të kryer nga Zhukri. Një vendim që ka sjellë një precedent deformues për çdo organizatë, e ku mund të kontestohet çdo forum drejtues i saj, thjesht nga një grup kundërshtar.
Megjithatë, për këtë duhet pritur një vendim i Gjykatës së Apelit, e këtu në aspektin ligjor, Foltorja ka shkaktuar traumën më të madhe ngaqë deri më sot kanë folur se nuk ka rëndësi selia, vula apo simboli.
Pasi problemi më i madh i PD-së është se nuk ka qenë Lulzim Basha pengesa për një bashkim, as ambicjet e dy palëve për të hyrë në grupin drejtues të Partisë Demokratike, duke përdorur Berishën.
Thelbi është se e gjithë kjo zhurmë ka ndodhur thjesht e vetëm që Sali Berisha të marrë kontrollin e Partisë Demokratike. Një kontroll që Berisha po synon ta marrë me një revansh dhe jo një rikapitulim apo rithemelim. E kjo shikohet thjesht në logjikën e 11 dhjetorit. Kur u ngrit një “Komision Rithemelimi”, i cili caktoi edhe njerëz me detyra të posaçme. Kryetar i kësaj structure u emërua Belind Këlliçi, i cili sot nuk ka asnjë peshë në zhvillimin e pas 6 marsit. Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, drejtuesit e PD-së bënë të ditur se do të zhvillonin një negociatë me njerëzit që e Foltores për të gjetur pikat e përbashkëta për ribashkimin. Deri tani pikë e përbashkët mes dy palëve, nuk se është parë. Pasi pala e Foltores ka vetëm një kërkesë: rikthimin e Sali Berishës. Po ku ta rikthejë, si ta rikthejë edhe me çfarë mekanizmi ta rikthejë?
Nëse Berisha do të kishte një synim politik për të larguar Bashën, e këtë ta konsideronte fitore, do të kërkonte një shkrirje të dy palëve; kryesisë së PD-së dhe Komisionit të Rithemelimit. Por ç’ndodhi në PD? Njerëz të afërt të Berishës vendosën të heqin dyert e “blinduara”, vendosën të rinovojnë selinë e PD-së, po me çfarë fondesh? Kush organ i PD-së ka miratuar e alokuar fonde për këtë aksion? Asnjë! Kemi të bëjmë me ngjarje që janë një material për organet e drejtësisë, nëse ka të tilla.
Megjithatë le të shtrojmë argumentet politike të çështjes. Duke ju bazuar edhe propozimeve të disa depuettëve si Grida Duma apo Saljanji që kërkuan largimin e Bashës dhe bashkimin me Foltoren. Po kush është Foltorja sot apo Komisioni i Rithemelimit? Ne kemi parë që në seancën e parë të Parlamentit pas largimit të Lulzim Bashës, dy palët e PD u përleshën në Kuvend për cicmice, për inate. Pse? Sepse ata nuk mblidhen dot në një sallë dhe të bien dakord për një shtrat politik dhe organizativ të përbashkët.
Të paktën në një muaj, palët e PD-së jo vetëm nuk janë më afër, por po tregojnë se e urrejnë njëri-tjetrin më shumë. Kjo është parë në largimin e njerëzve nga administrate e PD-së apo nga ngjarjet e rënda siç ishte tritoli i vënë në pronën e kandidatit të PD për kryetar bashkie të Shkodrës, Xhemal Bushati. Asnjë fjalë nuk tha Sali Berisha pas tritolit ndaj një kandidati të PD-së, asnjë fjalë nuk tha asnjë anëtar i Foltores, porn ë komentet mediatike thjesht kundërshtonin argumentet se dhuna është nxitur nga mënyra sesi Sali Berisha bëri politikë këto 6 muaj.
Gjërat, edhe pse me një ndryshim të madh që është largimi i Lulzim Bashës, në PD realisht nuk ka ndryshuar asgjë. Kurse tek krahu i Sali Berishës ka ndryshuar gjithçka- Foltorja politikisht nuk ekziston. Është thjeshtë Berisha, e tek tuk Flamur Noka, apo edhe Tritan Shehu.
TemA