Sanksionet kundër Rusisë po funksionojnë, por duhet të forcohen, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë me Fox News të premten, shkruan CNN.
“Sanksionet po funksionojnë, dhe Rusia ka padyshim frikë nga sanksionet, pasi ekonomia e tyre është goditur shumë rëndë“.
Por lind pyetja se si funksionojnë sanksionet. Ne u kemi kërkuar Shteteve të Bashkuara dhe liderëve europianë, që të punojnë së bashku dhe sa më shpejt, tha Zelensky.
“Sanksionet duhet të kenë ndikim te oligarkët, te presidenti i Rusisë dhe te të gjitha partitë dhe në përgjithësi në vend. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të punojnë për këtë nëse SHBA-ja dëshiron të arrijë negociata të suksesshme.”
Gjatë intervistës, Zelensky iu përgjigj akuzave ruse se Ukraina kishte goditur një depo karburanti brenda territorit rus të premten.
“Më vjen keq që nuk mund të diskutoj asnjë nga urdhrat e mia si komandant i përgjithshëm, apo udhëheqës i këtij shteti. Ka disa gjëra që i ndaj vetëm me forcat e armatosura ushtarake të Ukrainës dhe kur ata flasin me mua,” tha Zelensky, kur u pyet nëse ai do të kishte urdhëruar një sulm të tillë.
“Duhet të kuptoni se në atë territor që përmendët, ata po vendosnin sistemet e tyre dhe po gjuanin vetë raketa.”
Zelensky tha gjithashtu se nuk do të negocionte asnjë centimetër të territorit ukrainas në këmbim të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
“Ne nuk do të negociojmë për territorin tonë. Kështu që çështja e integritetit territorial dhe sovranitetit qëndron jashtë diskutimit”, theksoi Zelensky.
g.kosovari