Nga Ben Andoni
Nëse Ministri i Jashtëm rus Lavrov nuk do të përmendte edhe Shqipërinë, si vend i cili ka përcjellë mercenarë në Ukrainë, atëherë shumë pak do të dëgjohej për vendin tonë në këtë teatër të frikshëm të absurdit putinian. Por ndërsa Lavrov u shpreh hidhësisht, Ambasada e vendit të tij në Tiranë e pyetur nga Exit dha një përgjigje të vagullt se: agjencia zyrtare TASS pretendon se CIA dhe MI-6 po paguanin mercenarët me 3000 dollarë në muaj për të “dalë vullnetarë”!! Reagimi i qeverisë Rama ishte i ashpër, kurse mjedisi publik shqiptar e priti me indiferencë dhe tallje.
Në Shqipëri ekziston një ligj, i cili të penalizon po ike të luftosh për kauzën e lirisë në një vend të huaj dhe askush nuk di të përgjigjet sot se: çfarë mund të ndodhi me fatin e ndonjë idealisti që ia shkrep andej?! Më thjesht, nuk dihet sesi mund të justifikohesh si një i tillë në këto kohë plot terr nga propaganda. Kuptohet se këtu e teprojmë. Shqiptarët e kanë harruar shërbimin ushtarak dhe misionin e tij, atë që për shumë vende, ashtu si edhe për vetë ne, ndihmoi në ngritjen e vlerave të kombit, pasurimin e cilësive të të rinjve dhe mbi të gjitha atdhedashurinë. Mbase kjo ishte para viteve ’90 një eksperiment i drejtë, ndërsa tani shqiptarët kanë kohë që flenë të qetë! Mburren me NATO-n, ashtu si dikur me Traktatin e Varshavës. NATO me asistencën e vendeve fqinje të Shqipërisë kujdeset për sigurinë tonë ajrore dhe detare, kurse forcat amerikane shumë shpejt do të kenë në funksion një bazë në Shqipërinë e Mesme, mu në Kuçovë, atje ku gati më shumë se gjysmëshekulli më parë ishin forcat e harruara të Traktatit, kuptohet më së shumti pilotët dhe teknikët e ish BRSS-së.
Kohët ndryshojnë ashtu si sot ka ndryshuar sërish kahu i Shqipërisë drejt Aleancës, por jo në aspektin e forcimit por në një paqësi të përgjithshme që rrjedh nga anëtarësia jonë. E megjithatë, njësitë tona të trajnuara ushtarake , janë përfaqësuar në çdo vatër të nxehtë me dinjitet. Ushtarë profesionistë me vetëdije të lartë për detyrën kanë bërë diferencën dhe e tregojnë kudo këtë përgatitje. Janë krenaria jonë por më së shumi e zyrtarëve që nuk lenë vend pa e përmendur. Në fakt nuk thonë asgjë për pjesën tjetër të ushtrisë sonë. Rrogat qesharake, kushtet dhe infrastrukturën krejt të lënë pas dore.
Nuk është se situata është krejt ndryshe në Ballkan. Fqinjët shumë më veriorë, boshnjakët myslimanë janë krejt në anën e Ukrainës, paçka se nuk janë pjesë e NATO-s, si rezultat i veprimeve të ambasadorëve rusë në Sarajevë, të cilët mbështesin pa asnjë rezervë separatistët serbë në BiH. Çdokush e di se marrëveshjet direkte, nënshkruar mes kreut serb të Bosnjës Dodik me Putin nuk janë zbardhur ende kurse mëtimi se Republika kryeneçe do të shkëputet nga Federata duke krijuar sisteme alternative në vend (taksa, shëndetësi, ushtri), të bën të shqetësohesh. Rajoni ndjen një fllad lufte, që ka kohë që e prek në fakt Ballkanin, ku EUFOR-i, struktura që administron mbrojtjen e Federatës Boshnjake, po e dyfishon personelin e saj ushtarak. Shteti i dytë shqiptar në rajon, Kosova, është zotuar për solidaritet të plotë me Kievin pasi i detyrohet shumë NATO-s, e cila e shpëtoi atë nga sulmi dhe gjenocidi i pamëshirshëm serb gjatë luftës Kosovë-Serbi. Paçka se Ukraina nuk ia lejon vullnetarët!!! I vetmi përjashtim janë serbët kosovarë të politikës, që me inspirimin e Beogradit e mbështesin Moskën por kjo ka pak rëndësi. E shumta, arritën që në ditët e fundit të ngriheshin në protesta për elementët e votimit, fakt që e bëri kryeministrin Kurti t’u drejtohesh në gjuhën e tyre për paqësi. U kujtoi me të drejtë se ndajnë përditmërinë bashkë.
Serbia ka pozicionin më ambuig në këtë kohë lufte, por që e ka mbrojtur me sensin se nuk i harron dot kurrë bombardimet e NATO-s, ashtu si nuk është dakord me invazionin ndaj Ukrainës! Në fund nuk vendos asnjë sanksion ndaj Rusisë, aleates së saj kryesore, që tashmë nuk e mbron dot për Kosovën. Serbia është vendi i rajonit, që veç ndihmës me armatime marrë nga Rusia, përmendim këtu avionë luftarakë rusë MiG-29, po prodhojnë armë dhe kanë bërë disa marrëveshje të ndryshme armësh, duke përfshirë tanke dhe sisteme raketash, si ajo e blerjes së sistemit të mbrojtjes ajrore S-300 të prodhimit rus dhe gjashtë avionë të tjerë MiG-29 nga Bjellorusia, së bashku edhe me disa automjete ajrore pa pilot për qëllime ushtarake nga Kina. Serbia po mbështet gjithashtu edhe ngritjen e forcave të sigurisë të Republika Srpska. Dhe, në argumentin tonë: ajo që na shqetëson më shumë është se: ka nisur të mendojë shumë për ushtrinë e saj në baza të rekrutimit të rregullt. Që do të thotë rikthimin e plotë të shërbimit ushtarak. Kjo e fundit është vendosur në platformën e tyre të Sigurisë Kombëtare, ku është shtuar edhe ideja sesi mund të mobilizojë rezervistët. Në ditët e fundit me qëndrimet e tyre ndaj NATO-s, por më shumë me referimet e ministrit Vulin kanë treguar se janë një fqinj që të ofron surpriza aspak të këndshme. I gjithë plani i tyre është llogaritur për strategjinë afatmesme të mbrojtjes për 2021-2023. Pas një hulumtimi të Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCSP), kryer në fund të vitit 2020, është llogaritur se tre të katërtat e popullatës ose 63% e tyre e mbështesin këtë hap, kurse rreth 20% vlerësojnë traditën, vetëm tetë për qind e të anketuarve përmendën kërcënimet e jashtme si arsye për rikthimin e tij.
Shqipëria nuk e ka bërë një të tillë, sa i përket shërbimit ushtarak por apelimi i shumë prej personazheve të jetës publike dhe jo vetëm është pritur me mëdyshje. Sot, shërbimi ushtarak vazhdon në disa vende të Evropës Perëndimore si Danimarka dhe Zvicra….Kurse që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë, Ukraina, Suedia dhe Lituania e rivendosën menjëherë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Interesante ishte se jo shumë larg, por bash në vitin 2010, Suedia i dha fund traditës kombëtare 109-vjeçare duke e shfuqizuar atë që lidhej me rekrutimin ushtarak. Deri më atëherë Suedia kishte vetëm 5000 ushtarë të rekrutuar në ushtri, gati 10 për qind e regjistrimit të detyrueshëm në Suedi gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë deri drejt viteve 1990, kur shumica e vendeve evropiane kishin shërbimin e detyrueshëm. Suedia, ndryshe nga vendet e tjera, e arsyetoi asokohe në mënyrë shumë pragmatiste. Zëdhënësi i ministrisë suedeze të mbrojtjes e shprehu arsyetimin pak më troç për BBC: “Aneksimi i paligjshëm rus i Krimesë [në 2014], konflikti në Ukrainë dhe rritja e aktivitetit ushtarak në lagjen tonë janë disa nga arsyet”.
Çfarë ndodh me shqiptarët? Pse nuk apelohet për kthimin e shërbimit ushtarak? Sot, ne mblidhemi dhe bëjmë disa mitingje modeste në ndihmë të Ukrainës, porse të rinjtë e shikojnë si një lajm tejet të çuditshëm dhe pa sens përmendjen e shërbimit. Më “interesantët”, gjejnë lajme në platformën Telegram për luftën, sesi forcat nacionaliste ukrainase po dërrmojnë rusët, kurse më indiferentët shëtisin me pultin e televizorit tek të rejat që tashmë “nuk thonë asgjë për Ukrainën”. Sa më shumë kalojnë ditët, lufta e Ukrainës shihet më shumë si një gjë që nuk na lidh fare, përveçse kur vjen puna për rritjen e çmimit të karburantit…që prek shumë bjerraditën. A u bën përshtypje Kosova dhe realiteti i tij? Jo, sepse, po kaq interes me sa duket bën edhe për vetë Kosovën.
Edhe lajmi i muajve më parë duhej të na trondiste, por ai kaloi si parëndësi. Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandër Vulin u shpreh se: nëse Beogradi do të dëshironte të kthehet me forcë në Kosovë, nuk do të kishte nevojë për rusë apo të huaj të tjerë, por do t’i mjaftonin serbët e lindur atje. Dhe, ironia, që duhet të na dhembë edhe më: “Nëse Serbia do të donte të kthehej me forcë në veri dhe jug të ‘Kosovës dhe Metohisë’, nuk do të kishte nevojë për rusët apo ndonjë të huaj tjetër, mjaftojnë serbët e lindur në ‘Kosovë dhe Metohi’. Shqiptarët (ai sërish përdori termin fyes ‘shiptari’) u bindën për këtë kur dërguan forca speciale arrogante në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’ dhe të përulur dhe të frikësuar i tërhoqën në jug”. Ishte koha, kur ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, pohoi se ka informacione nga të cilat presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe ministri Vulin po rekrutonin mercenarë rusë për t’i sjellë në veri të Kosovës. Sërish ironia e Vulin ishte e hidhur për shqiptarët: “kur nga ta flet frika dhe ndërgjegjja e papastër, fillojnë të flasin për agresionin serb dhe rrezikun rus”. Sipas tij, “pretendime të tilla duhet të shërbejnë si shkas që NATO të ngrejë edhe një herë armët dhe të bëjë një luftë, të cilën vetë shqiptarët kurrë nuk mund ta fitonin, ashtu siç nuk mundën të ndërtonin vetë një shtet”.
Të mjafton ky diskurs të kuptosh se Shqipëria si vend mbështetës total i Kosovës e ka një rrezik potencial që ka të ngjarë se nesër një ditë apo një tjetër do të trokasë. Duam apo nuk duam ne. Serbia nuk do heqë dorë kurrë nga Kosova, ashtu si Shqipëria duhet të kuptojë se do i duhet të futet direkt në mbrojtje të saj, paçka se Kosova është e pavarur, administrohet ushtarakisht dhe ka prezencën e KFOR dhe bazën e madhe të Bondsteel. Ashtu si Shqipëria është pjesë e NATO-s.
Kjo është arsyeja objektive, por më shumë se kaq nga ana subjektive Shqipëria duhet të kthejë shërbimin ushtarak, si edhe të fillojë të rishikojë strategjinë e saj ushtarake, duke i përfshirë më shumë të rinjtë rregullisht për stërvitjen ushtarake, mbase duke bërë skema ekonomike që të mos i rëndojnë buxhetit të shtetit, por edhe për të edukuar publikun. Nuk është hapësira e nevojshme apo të përsërisim idenë për të treguar dobinë e rikthimit të shërbimit, por ia vlen të përmenden disa arsye syresh. Kthimi i shërbimit ushtarak përballë fqinjit problematik do bëjë që: Të rinjtë të dinë se çfarë është mbrojtja e Atdheut dhe nga çfarë kërcënohemi; Të rinjtë do shikojë botën reale dhe jo atë virtuale, ku patriotizmi është modë make-up social; Të rinjtë do të jenë të zotët e vetes; Të rinjtë do të mësojnë se çfarë është sakrifica dhe mbi të gjitha…do të burrërohen. Putin na bëri një të mirë edhe me keqësinë e tij: Bota nuk është më bota e pacifistëve por e kurtheve që të presin në çdo cep të jetës, paçka konjukturave gjeostrategjike, që ndryshojnë nga Superfuqitë kur u hyn në punë interesave të tyre. Rusia e tregoi hapur në çerekun e parë të shekullit të XXI, që nuk mund t’i besohet asnjëherë.
Në fakt, ishin dy burra të superfuqive që e ndryshuan mentalitetin për shërbimin ushtarak. Teodor Ruzvelti mendonte se me anë të shërbimit ushtarak, të rinjtë, nga të gjithë racat e vendit të tij do të “amerikanizoheshin”, kurse shefi i BRSS Brezhnjevi shumë vite më vonë, do pohonte se shërbimi ushtarak ishte i vetmi mjet që do të forconte pushtetin e Sovjetëve. Shefi i Shtabit të Ushtrisë amerikane George Marshall, pas tyre, do konstatonte se: “Gjermania nuk do të kishte guxuar të përfshihej në një luftë që do të tërhiqte Shtetet e Bashkuara në konflikt”, nëse SHBA do të kishin “ndjekur” në krijimin e një programi të stërvitjes ushtarake (UMT-së) ose shërbimit. Të gjitha këto janë disa nga arsyet, veç shumë të tjerave, që Shqipëria duhet të kthejë shërbimin ushtarak. Retorika e Serbisë nuk lë shteg për ekuivokë: Kërcënimi është fare pranë, kurse Kosova gjithnjë e më shumë mbetet e kërcënuar, ashtu si edhe flegmatizmi i Shqipërisë nuk mbyllet dot me retorikë pacifiste dhe me vetëm sytë nga NATO. Ukraina ishte një frymëzim i madh…i vetëbesimit dhe i atdhedashurisë, që ia dha edhe shërbimi ushtarak, i futur më shumë sesa kulturë por si nevojë edukimi…në vitet e fundit. Rezultati: Ai shpirt që e bën Putin dhe Lavrov shpesh të bëhen qesharakë…edhe në keqësinë e tyre të ndëshkimit, që po u kthehet në kurriz. (Homo Albanicus)
MBROJTIA E ATDHEUT, DETYRË MBI DETYRAT.
BUKA DHE FISHEKËT, MOS TË NA MUNGOJNË.
MENDOJMË, PUNOJMË, JETOJMË SI NË RRETHIM.