Taras Topolia është muzikant i njohur në Ukrainë dhe pjesë e grupit “Antytila”. Mëngjesin e sotëm, ai ishte në një lidhje “Skype” me emisionin “Wake Up”, ku tregoi se muzikantë dhe artistë kanë marrë armët për të luftuar për mbrojtjen e vendit të tyre.
Kur moderatori i njohur, Isli Islami, i tregoi Tarasit për koncertin e mbajtur në Shqipëri pak ditë më parë në nder të viktimave të luftës por edhe gjithë situatës së krijuar në Ukrainë, ai u habit nga ky gjest dhe i falënderoi të gjithë.
“Shpresoj që në të ardhmen të kemi shumë koncerte të tjera. Faleminderit shumë për atë që keni bërë”, tha Topolia.
Ky i fundit më pas zbuloi edhe një detaj shumë interesant para luftës. Ai verën e kaluar kishte në plan që të vizitonte Shqipërinë.
“Një detaj shumë interesant para lufte. Verën e kaluar, familja ime, unë dhe bashkëshortja ime kishim në plan të vizitonim Shqipërinë. Mund të më korrigjoni, por po planifikonim të vizitonim Shëngjinin, ashtu shqiptohet. Të kalonim një kohë të bukur në bregdet”, tha artisti i njohur.
/a.r