Alqi Bllako nuk e priti mbledhjen e Këshillit të Mandateve, por dorëzoi mandatin e deputetit dy orë para mbledhjes. Këtë veprim të tij, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka cilësuar si një pranim të gjykimit të shkurtuar nga Bllako.
Kryemadhi tha se çështja e inceneratorëve ka vënë në provë SPAK-un, por arrestimet e deritanishme, sipas saj, nuk tregojnë asgjë.
“Procesi i dorëzimit të mandatit ishte një “gjykim i shkurtuar” nga vetë Bllako, sepse në hyrjen e një komisioni të verifikimit të mandateve do të shtoheshin akuzat. Unë do të merresha me Veliajn, me Ramën dhe jo me Bllakon, nëse do të kishte debat.
Megjithatë, rasti Bllako dhe Koka duhet të ishin bërë më parë. Sa herë Rama dhe qeveria janë në vështirësi i hedhin një “kockë” opinionit publik. Çështja e Bllakos dhe arrestimet e tjera, po të ishin kaq serioze, gjëja e parë do të ishte arrestimi i Zotos, i Mërtirit, Gugallja.
SPAK dhe reforma në drejtësi janë në provë. Vërtet mund të arrestosh Bllakon, por ai është një instrument i flakur nga Rama, ndërsa inceneratorët vijojnë të paguhen, të marrin para nga buxheti i shtetit”, tha Kryemadhi në A2CNN.
g.kosovari