Opozita është vënë në garë për të marrë meritat e denoncimit të aferës së inceneratorëve për publikun dhe në Prokurorinë e Posaçme. Rivaliteti për këto merita nuk është vetëm mes PD-së e LSI-së, por edhe brenda PD-së.
Jorida Tabaku doli nga kryesia e Kuvendit për t’ja mveshur këto merita punës së Komisionit Hetimor Parlamentar, të cilin e drejtoi vetë.
“Kushdo që ka qenë i interesuar për aferën e inceneratorëve, sot ka pasur një zhvillim të ri, një zhvillim i parë në drejtim të punës së komisionit hetimor, është shpresëdhënës. Nuk është e mjaftueshme. Në gjykimin tonë, sot me lëvizjet dhe ndalimet e incenerataorit të Fierit, ka pasur një hap përpara”, deklaroi Jorida Tabaku.
Tabakun e mbështeti nga rrjetet sociale, Lulzim Basha.
”Arrestimet e sotme, janë si rezultat i punës së jashtëzakonshme dhe profesionale të Partisë Demokratike në Komisionin Hetimor Parlamentar, por kjo nuk mjafton. Komisioni faktoi se urdhëruesit dhe përgjegjësit kryesorë të kësaj afere janë ministra dhe kryeministri”, tha ai.
Në grupin e medias të Partisë Demokratike, atë që e ka marrë nën kontroll Rithemelimi, në një deklaratë të shkurtër ku jepej qëndrimi zyrtar i partisë, nuk përmendet në asnjë rresht Komisioni Hetimor i ngritur nga Jorida Tabaku.
“Partia Demokratike i kërkon Edi Rames të mos bllokojë kurrsesi kërkesën e prokurorisë për hetimin e aferës se incerenatorëve, njërës prej aferave më të mëdha të korrupsionit në Shqipëri. Partia Demokratike shton se Alqi Bllako, i zhytur kokë e këmbe në aferën e incerenatorëve, është vetëm nënfishi i Engjëll Agaçit, Arben Ahmetajt, Erion Veliajt dhe padyshim i Edvin Ramës, përgjegjesia direkte e të cilëve në kuadrin e nje grupi te strukturuar kriminal, është tashmë e qartë si drita e diellit”, thotë deklarata.
Monika Kryemadhi ja dha meritat kryekëput LSI-së. Që në nisje të deklaratës, kryetarja e LSI-së kujtoi se sot bëheshin 394 ditë nga denoncimi në SPAK për inceneratorët. Por, jo vetëm kaq, Kryemadhi foli për përpjekje për ta mbyllur këtë aferë, madje edhe në Komisioni Hetimor Parlamentar të drejtuar nga Jorida Tabaku.
“E gjitha kjo që po ndodh sot me hetimet e inceneratorëve është një meritë e padiskutueshme e kallëzimeve që LSI ka depozituar në SPAK me fakte, dokumenta për çdo shkelje ligjore për të cilën janë bërë në mënyrë proceduriale të njëpasnjëshme nga zyrtarë politikë të lidhur me kryeministrin. Ashtu si u tentua me Komisionin Hetimor parlamentar që të varroseshin të vërtetat e kësaj afere korruptive, po kështu ju garantoj dhe një herë që nuk do të lejoj që kjo aferë e cila është afera më e madhe korruptive që ka ndodhur në këto vite nuk do të shuhet por do ta çoj deri në fund”, tha ajo.
Në mes të këtyre qëndrimeve e vendosi veten Belind Këlliçi me një deklaratë për mediat nga oborri i Partisë Demokratike, ku përshëndeti si punën e komisionit “Tabaku”, ashtu edhe bashkëpunimin me LSI-në.
“Dua të gjej rastin të përgëzoj edhe punën që është bërë edhe në Komisionin Hetimor për inceneratorët, për të bëre transparencë mbi këtë aferë. Dua të përshëndes bashkëpunim që kemi patur me parti të tjera opozitare, në mënyrë të veçantë me LSI, që ka bërë publike me dhjetëra dokumente autentike dhe çdo demokrat, çdo opozitar, çdo deputet dhe çdo qytetar që ka ngritur zërin për këtë aferë”, deklaroi ai./m.j