Sot lufta futet në ditën e saj të 33-të! Raundi i ri midis Ukrainës dhe Rusisë pritet të mbahet në Turqi. Ky do të jetë raundi i dytë i bisedimeve midis palëve që do të mbahet në Turqi, pasi më 7 mars, në këtë shtet u takuan kryediplomatët ukrainas dhe rusë.
Rusia po tenton që ta ndajë në dy pjesë Ukrainën, duke krijuar një rajon të kontrolluar nga Moska, pasi dështoi që ta pushtojë të gjithë vendin tha inteligjenca ushtarake ukrainase. Rajoni lindor ukrainas, Luhansk, që kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia, mund të mbajë një referendum për t’iu bashkuar Rusisë. Ukraina tha se ka zmbrapsur pesë sulme ruse në rajonet lindore Donjeck dhe Luhansk, teksa Ministria britanike e Mbrojtjes, tha se rusët nuk kanë bërë përparim gjatë 24 orëve të fundit.
Një ministër ukrainas tha se ka pasur zjarr në afërsi të centralit të çmontuar bërthamor të Çernobilit. Ky central, që ka qenë skenë e incidentit më të madh bërthamor në botë më 1986, vazhdon të jetë nën kontrollin e forcave ukrainase.
Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se 1,119 civilë janë vrarë dhe 1,790 janë plagosur që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Numri real i viktimave megjithatë konsiderohet të jetë më i lartë. Sipas OKB-së, mbi dhjetë milionë persona janë zhvendosur për shkak të dhunës.
Ukraina është e gatshme të diskutojë mundësinë e një statusi neutral si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, por me kusht që një status i tillë të garantohet nga pale të treta dhe të hidhet në referendum, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy.
Ndërsa kancelari gjerman, Olaf Scholz u shpreh se ndryshimi i regjimit në Rusi nuk është qëllimi i NATO-s, as i presidentit amerikan, pas bisedimeve që ai zhvilloi me Shtëpinë e Bardhë.
Dhjetëra mijëra civilë janë bllokuar në qytetin ukrainas të Chernihiv, pa gaz, ujë dhe energji elektrike pas një muaji luftimesh të ashpra. Chernihiv, i vendosur në brigjet e lumit Desna, ishte ndër qytetet e para të Ukrainës që u sulmuan nga trupat ruse që kaluan nga Bjellorusia në një përpjekje për të arritur në Kiev.
Një muaj më vonë, qyteti ende reziston, por nuk ka asnjë rrugëdalje të sigurt, pasi është i rrethuar nga trupa ruse.
g.kosovari