Lejimi i operatorit të ri serb, të telefonisë mobile “MTS” që pritet të fillojë së punuari në Kosovë, nga koha kur vendit do t`i miratohet kodi telefonik 383, do të ketë pasoja për sigurinë e vendit. Kjo marrëveshje duhet të kundërshtohet fuqishëm dhe përgjegjësit duhet t’i përgjigjen popullit. Kështu u tha në një konferencë të organizuar nga “Vetëvendosje”, sipas të cilës marrëveshja e tillë, është e papranueshme. Visar Ymeri, nga “ Vetëvendosje”, transmeton kp, tha se kompania të cilës duan t’i japin leje për operim, është kompani shtetërore e Serbisë dhe se me këtë bëhet integrim i plotë i sistemit të Serbisë në Kosovë. “Rrjeti i telefonisë prej Kosovës në Serbi, do të konsiderohet lokal”, tha ai. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka bërë të ditur se fillimi i operimit të këtij operatori është në përputhje me negociatave që janë zhvilluar në Bruksel.