Kërkesa e Rusisë për të marrë pagesa në rubla për eksportet e saj të gazit natyror do të përshpejtojë procesin e dedollarizimit që do të thotë shmangien totale të pagesave me dollarë.
Konstantin Simonov, drejtor i përgjithshëm i Fondit Kombëtar të Sigurisë së Energjisë të Rusisë dhe kreu i Departamentit të Politologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Masës është shprehur se kërkesa, e bërë nga presidenti rus Vladimir Putin se vendet “jomiqësore” tani e tutje duhet të paguajnë për gazin natyror rus në rubla, nxitet kryesisht nga mosbesimi ndaj Perëndimit.
Kostantin Somonov: Edhe pse vendimi është marrë si një reagim ndaj sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, ai është një hap i vogël në luftën kundër dollarit. Rusia gjithmonë flet për “dedollarizim” të qëndrueshëm në ekonomi. Ne po vëzhgojmë nga afër që Kina dhe Arabia Saudite të përdorin juanin si zgjidhje për tregtinë e naftës. Rusia dhe India po diskutojnë për përdorimin e rublave ose rupive indiane për të zgjidhur tregtinë e energjisë. Procesi po përshpejtohet dhe ky është gjithashtu qëllimi ynë.
Simonov për Reuters është shprehur se nëse këto vende veprojnë në këtë mënyrë kjo gjë mund të ulë rrezikun e ngrirjes së llogarive bankare në dollarë ose euro për eksportet e gazit natyror.
Kujtojmë se Rusia gjithashtu po shqyrton mundësinë që disa shtete të përdorin Bitcoin si pagesë për eksportet e saj të naftës dhe gazit. Kina dhe Turqia janë ndër vendet “miqësore” që nuk janë të përfshirë në presionin e sanksioneve dhe pikërisht këto mund të përdorin kriptovalutat. Por shumë analistë janë shprehur se pranimi i Bitcoin, krahasuar me monedhat e tjera tradicionale, paraqet dukshëm më shumë rrezik në tregtinë e gazit natyror.
/a.r