U zhvillua ditën e djeshme seanca gjyqësore në ngarkim të tre personave të arrestuar nga policia e Vlorës, tre ditë më parë. Gjykata e Vlorë vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’, për Ariel Kingjin dhe Kristi Drollin, ndërsa ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për shtetasin Shpati Lena. Seanca është drejtuar nga gjyqtare Arbana Selmanaj, ndërsa prokuror ka qenë Hyrjet Lamaj. Ariel Kingji, Kristi Drolli dhe Shpati Lena u arrestuan, ndërsa ishin duke lëvizur me automjet në zonën e Ujit të Ftohtë të dyshuar për ngjarjen e ndodhur në 4 gusht 2019 në Plazhin e Vjetër, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj dhe u plagosur djali i tij dhe një i afërm i tyre. Në kuadër të operacionit “Paves” (dallgët), u bë arrestimi i Ariel Kingjit, 21 vjeç, Shpati Lena 37 vjeç dhe Gazmend Alushi 50 vjeç, të cilët të tre kishin armë me vete.
Si ndodhi ngjarja ku u përfshinë të arrestuarit?
Fakti që një kalë i ka prishur qetësinë disa pushuesve që po bënin plazh në muajin gusht në Vlorë, ka shërbyer për keqtrajtimin në grup të rojës së kalit. Gazmend Alushi, i cili paguhej 100 mijë lek të vjetra në muaj nga Ermal allias Eduart Xhezo për kujdesin ndaj kalit, është dhunuar me grushte e shkelma në 4 gusht 2019 nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë që ndodheshin në lokal. Fill pasi ka shpëtuar nga rrahja e mirë, Gazmendi ka shkuar në banesën e tij, ku aty i kishte shkuar Ermali duke i thënë se kush e kishte rrahur, dhe Alushi i ka pohuar se ishte dhunuar nga “Arbeni i Çeçesë”. Fill pas kësaj, Ermal Xhezo, ka mobilizuar shokët e tij si Shpati Lena dhe kunatin e tij Ariel Kingji të cilët u arrestuan pak ditë më parë nga Policia, ku të gjithë ishin të armatosur me automatikë dhe pistoleta, duke shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqiraj, për t’u sqaruar lidhur me rrahjen që ata i kishin bërë kujdestarit të kalit të Ermal Xhezot. Teksa kanë shkuar për t’u sqaruar, janë ulur 3 minuta në një tavolinë dhe më pas kanë nisur përplasjet fizike deri në përdorimin e armëve, duke sjellë vrasjen e Arben Beqirajt dhe plagosjen e djalit të tij dhe të afërmit të viktimës Nesim Hodaj. Kjo ngjarje tronditi qytetin e Vlorës në pikun e sezonit turistik sepse ngjarja ndodhi në muajin ku turistët mbushin qytetin bregdetar. Autor i vrasjes ka qenë Eduart Xhezo, i arrestuar, teksa shoku dhe kunati i tij kanë bashkëpunuar në krim.
Kush janë të arrestuarit?
-Kristo Drolli 50 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri pistoletë; -Ariel Kingji 21 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet në brez, një armë zjarri pistoletë. Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 04.08.2019, në lagjen “1 Maji”, Vlorë. -Shpati Lena 37 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, i cili dyshohet si përkrahës i personit në kërkim.
/a.r