Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar ditën e sotme se mbrotja ukrainase dhe të gjitha forcat mbrojtëse ishin shkatërruar totalisht dhe se tashmë objektivi i tyre ishte kontrolli i të gjithë rajonit të Donbasit në lindje të Ukrainës.
“Aviacioni ushtarak ukrainas dhe mbrojtja ukrainase janë shkatërruar pothuajse plotësisht dhe marina ukrainase nuk ekziston më”. Kështu është deklaruar nga Ministria ruse e Mbrojtjes, sipas raporteve të agjencisë Tass.
Sergey Rudskoy, kreu i departamentit kryesor operacional të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, tha se 93% e rajonit të Luhanskut dhe 54% e rajonit të Donetskut ishte nën kontrollin rus.
Rusia ka shkatërruar shumicën dërrmuese të forcave ajrore dhe marinës së Ukrainës, dhe kjo shënoi fundin e suksesshëm të fazës së parë të konfliktit,thotë shefi I ushtrisë ruse, shkruan BBC.
Megjithatë, ministria e mbrojtjes nuk përjashtoi mundësinë e sulmit në qytetet ukrainase që ishin bllokuar dhe tha se Rusia do të reagojë menjëherë ndaj çdo lëvizjeje për të mbyllur hapësirën ajrore mbi Ukrainën, diçka që Presidenti Zelensky e ka kërkuar vazhdimisht.
Ministria tha gjithashtu se Rusia do të vazhdojë pushtimin e saj derisa objektivat e vendosura nga Putin të arrihen, njoftoi agjencia e lajmeve Ria.
/b.h