Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka paralajmëruar se zyrtarë dhe ish-zyrtarë që kanë abuzuar me dosjet e pronave shtetërore dhe private do të jenë pjesë e hetimit.
Në një dalje për mediat, Manja tha se Drejtoria Anti-Korrupsion që është në varësi të Ministrisë që ai drejton, ka aktualisht në proces një hetim për tjetërsimet dhe falsifikimet me pronat, kryesisht në bregdet.
Ministri Manja vlerësoi edhe aksionin e një dite më parë në Kadastrën e Sarandës, ku u arrestuan 4 zyrtarë dhe ish-zyrtarë për shpërdorim detyre lidhur me pronat në bregdet.
“Asnjë zyrtar dhe ish-zyrtar abuzues me detyrën e shtetit tashmë nuk duhet të ndihet i sigurt dhe as ta bëjnë gjumin e qetë. Hetimi, kallëzimi dhe aksioni djeshëm ka ardhur pas kallëzimit të një qytetari. Dua të ftoj qytetarët se denoncimet nuk duhet t’i bëjnë vetëm pasi ata nuk zgjidhin hall. Nëse qytetari mbaron punë me zyrtarin dhe pastaj ankohet minimumi është bashkëpunëtor në nxitjen e korrupsionit në Shqipëri. Duhet ta zhdukim këtë mentalitetin e mbarimit të hallit me paligjshmëri apo duke paguar nën dorë. Nuk kemi mbaruar punë as në Kadastrën e Sarandës e as në të gjitha zyrat e Kadastrës. Drejtoria Anti-Korrupsion ka në proces një superhetim me të gjitha abuzimet me pronën publike dhe private nga veriu në jug me fokus të veçantë bregdetin. Dosja e hetimit e cila shtrihet në kohë, përfshihen ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të Kadastrës pavarësisht rangut dhe detyrës që mbajnë dhe që shumë shpejt pas përfundimit të këtij hetimi rezultate konkrete do jenë në duart e SPAK”, deklaroi ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
/a.r