Gjashtë automjete janë djegur në Pogradec, pasi një servis u përfshi nga zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, në fshatin Leshnicë.
Burime nga policia bëjnë me dije se flakët përfshinë rrethimin e jashtëm të servisit në pronësi të Geri Pengu. Për pasojë janë djegur 6 automjetet që jepeshin me qira.
Nga kamerat janë parë persona të afrohen, dhe të kenë hedhur benzinë mbi mjetet duke u venë zjarrin. Policia dyshon se zjarri mund të jetë vënë nga dy persona.
Sakaq, pronari nuk është emër i panjohur për uniformat blu. Ai rezulton të jetë i përfshirë në fushën e trafikimit të narkotikëve.
Po ashtu në vitin 2008 ai është arrestuar për aksident me pasojë vdekjen e një 70-vjeçari. Ndërsa në vitin 2014 Pengu është proceduar për një aksident me plagosje.
Njoftimi i policisë:
Pogradec/Informacion paraprak
Më datë 25.03.2022, rreth orës 04:00, jemi njoftuar se në fshatin Leshnicë, Pogradec, në rrethimin e jashtëm të servisit në pronësi të shtetasit G. P., ka rënë zjarr dhe për pasojë janë djegur 6 automjete të cilat jepeshin me qira. Dëme në njerëz nuk ka, por vetëm dëme materiale.
Nga të dhënat e para, dyshohet se zjarrvënia mund të ketë qenë e qëllimshme.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
g.kosovari