Ukraina ka akuzuar Moskën se ka marrë me forcë qindra mijëra civilë nga qytetet e shkatërruara të Ukrainës duke i dërguar drejt Rusisë. Sipas autoriteteve ukrainase, ata mund të përdoren si “peng” për t’i bërë presion Kievit që të dorëzohet.
Sipas Associated Press, janë rreth 402 mijë njerëz, midis tyre 84 mijë fëmijë, të cilët janë marrë kundër vullnetit të tyre. Nga ana tjetër, Kremlini dha numra pothuajse të njëjtë me ata që janë zhvendosur, por sipas Moskës ata donin të shkonin në Rusi. Rajonet lindore të kontrolluara nga rebelët e Ukrainës janë kryesisht rusishtfolëse dhe shumë njerëz atje kanë mbështetur lidhjet e ngushta me Moskën.
Kievi dhe Moska dhanë raporte kontradiktore në lidhje me zhvendosjen e njerëzve në Rusi dhe nëse ata po zhvendoseshin me dëshirë ose po detyroheshin ose gënjeheshin.
Gjenerali rus Mikhail Mizintsev tha të enjten se rreth 400 mijë njerëzit e evakuuar në Rusi që nga fillimi i pushtimit rus ishin nga rajonet Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore, ku separatistët pro-Moskës kanë luftuar për kontroll për gati tetë vjet. Autoritetet ruse thanë se po sigurojnë strehim dhe po japin pagesa për të evakuuarit. Por nga ana e tij, guvernatori i rajonit të Donetsk Pavlo Kyrylenko tha se “njerëzit po zhvendosen me forcë në territorin e shtetit agresor”.
Zyrtarët ukrainas raportojnë se rusët po marrin pasaportat e njerëzve dhe po i transferojnë ata nëpër “kampe në lindjen e kontrolluar nga separatistët e Ukrainës përpara se t’i dërgojnë në zona të ndryshme të largëta, të depresuara ekonomikisht në Rusi.
Midis të arrestuarve, të akuzuar nga Ministria e Jashtme e Ukrainës, ishin 6,000 banorë të Mariupolit, qyteti i cili është shkatërruar plotësisht.
Trupat e Moskës po konfiskojnë dokumentet e identitetit të 15 mijë personave të tjerë në një pjesë të Mariupolit që tashmë ndodhet nën kontrollin rus. Ndërkaq, sipas inteligjencës ukrainase disa mund të dërgohen deri në ishullin Sakhalin të Paqësorit, dhe u ofrohen punë me kusht që të mos largohen për dy vjet. Ministria tha se rusët synojnë t’i “përdorin ata si pengje dhe të ushtrojnë më shumë presion politik mbi Ukrainën”.
/b.h