Zemra e Diego Armando Maradonës mund të jetë në Kupën e Botës, “Katar 2022”. Një nismë e tillë synon që organi që iu hoq nga trupi legjendës argjentinase të futbollit, kur iu bë autopsia, i cili vdiq më 25 nëntor 2020, ta shoqërojë “Albiceleste” drejt një ëndrre të re për të fituar Kupën e Botës.
“Për dashurinë e Diego-s, në Botërorin e ardhshëm duam të përmbushim atë që mendojmë se do të ishte dëshira e tij. Ne duam që zemra e Maradonës të udhëtojë me ekipin kombëtar në Katar”, – tha Javier Mentasti, kreu i agjencisë së Bombeit, që promovon nisma të ndryshme.
Në autopsinë që iu bë trupit të pajetë të Diegos, zemra e tij u mbajt në kujdestarinë e Departamentit të Anatomisë Patologjike të qytetit La Plata, që i përket Policisë së Provincës së Buenos Aires, për diskutim mjekësor dhe kujdes në 10 vitet e ardhshme.
Dëshira është që Maradona të jetë i pranishëm në një farë mënyre me kombëtaren e Argjentinës, ashtu siç bëri si mbështetës që nga pensionimi i tij profesional në vitin 1997. “A mund ta imagjinoni zemrën e Diego Maradonës në dhomat e zhveshjes së ekipit kombëtar argjentinas dhe në bisedimet para ndeshjeve?
Mund të jetë një ëndërr, por ne duam që të realizohet”, – shtoi Mentasti, në deklaratat e mbledhura nga “AM 750” në Buenos Aires. César Pérez, themeluesi i “La Casa de D10S” në La Paternal, identifikohet me projektin: “Është gjëja më e mirë që zemra e Diegos të udhëtojë me kombëtaren në Katar, në mënyrë që lojtarët ta ndiejnë atë afër në një farë mënyre”.
Trupi i Diego Armando Maradonës ka mbetur pa zemër që nga dita e vdekjes së tij në qytetin e Tigre, për shkak se ky organ, ashtu si mëlçia dhe veshkat, janë mbajtur nga mjekësia ligjore për hulumtime të mëtejshme.
Drejtësia argjentinase vijon hetimet, gjithashtu, për shkak se vdekja e Maradonës ndodhi në rrethana të paqarta. Gjatë autopsisë, mjekët ligjorë zbuluan se zemra e tij peshonte dyfishin e normales, afërsisht 500 gram. Ajo është futur në formalinë për ta ruajtur.
/a.r