Në këto ditë kur kryefjala e zhvillimeve në vend është rritja e çmimeve dhe nevoja për të lehtësuar konsumatorët, sipërmarrësi Dritan Gremi ka lançuar një iniciativë krejtësisht të veçantë. Ai ka vendosur që në bizneset që drejton, të mbajë të palëvizura çmimet.
Në hyrje të secilit biznes, ai ka vendosur një logo në të cilën shkruhet “Stop abuzimit, ky subjekt nuk do të spekulojë me çmimet ndaj konsumatorit”, ndërsa fton edhe të tjerë biznese t’i bashkohen nismës.
“Qëllimi është që konsumatorit të mos i bjerë në kurriz e gjithë barra e rritjes së çmimeve”, shprehet zoti Gremi, ndërsa fton ata të denoncojnë spekulimet dhe abuzimet në kurriz të tyre, duke u bërë kështu pjesë e rëndësishme e rrjetit.
“Konsumatori duhet jo vetëm ti denoncojë por gjithashtu të bojkotojë cdo lloj subjekti abuzues, në mënyrë që ata të “ndërgjegjësohen që spekulime të kësaj natyre nuk duhet të ndodhin”, shprehet ai.
Zoti Gremi, ku konsiston nisma “Stop abuzimit ndaj konsumatorit”?
Nisma konsiston në ngritjen e një rrjeti bashkëpunimi mes bizneseve, ku do ketë gjithashtu edhe një aleancë mes biznesit dhe konsumatorit. Le të themi bizneset që kam unë, impenjohen të mbajnë të paprekuara çmimet, deri në maksimum duke patur parasysh edhe marzhet e fitimit, pavarësisht sa do ndikohet kjo nga rritja e çmimit të lëndës së parë. Qëllimi në vetvete është të ndalim abuzimin që mund të ndodhë me çmimin në këto kohë luftërash. Nga ana tjetër vetë konsumatori do t’i monitorojë nga afër bizneset në përgjithësi dhe do t’i denoncojë nëse janë për t’u denoncuar, rastet e abuzimeve që mund të kryhen nga subjekte të caktuara. Unë do të propozoja dhe ngritjen e një rrjeti B2B ku vetë bizneset të krijojnë një network me njëri tjetrin dhe të refuzojnë bashkëpunimin me ata biznese që abuzojnë në mënyrë të padrejtë me çmimet. Këto biznese që do të bëhen pjesë e rrjetit do të marrin një impenjim moral duke vendosur një logo në të cilën shkruhet: “Unë nuk do spekuloj me çmime që rëndojnë konsumatorin”. Ky impenjim do ta garantonte konsumatorin në një farë mënyre. Nga ana tjetër do ftoja konsumatorët që të bojkotonin masivisht bizneset që abuzojnë me çmimet në mënyrë të pajustifikuar duke refuzuar të blejnë mallra konsumi në këto subjekte. Është shumë e thjeshtë: çdo biznes rri në këmbë duke shitur, nëse ai bojkotohet do detyrohet të shohë çmimet dhe politikat ndaj konsumatorit.
A ka aktualisht çmime të rritura në tregun e shumicës apo në lëndën e parë?
Po. Unë mund të them një rast, që çmimi i miellit që ne importojmë nga Italia për picën ka shkuar nga 29 euro në 41 euro. E thënë ndryshe, në çmimin e picës kjo rritje ndikon në 20 lekë të reja për picë. Pyetja është: Këto 20 lekë ne do t’ja reflektojmë konsumatorit apo do ta suportojmë vetë?
Për sa më përket mua nuk do ta reflektoj. Është diçka që mund ta suportoj vetë, thjesht do privohem nga marzhi i fitimit. Sepse është dhe thikë me dy presa: Nëse ti i rrit çmimet dhe konsumatori nuk e përballon dot, atëherë do ulen shitjet. Dhe unë jam i sigurt që kjo ka për të ndodhur. Zakonisht lënda e parë në një restorant ndikon 30 – 40 përqind të çmimit total. Nëse ty lënda e parë të rritet në 20% dhe ti e reflekton rritjen jo në 20% të lëndës së parë por në 20% të vlerës totale të produktit, kjo është e padrejtë për konsumatorin, është spekulim i pastër. Unë them që shumë çmime që janë rritur në treg janë të pajustifikuara dhe po spekulohet.
Por a rrezikon një biznes të mos e përballojë këtë rritje dhe në një moment të caktuar të shkojë deri në pikën, që mund të largojë njerëz nga puna?
Këtu hyn në lojë aftësia e një sipërmarrësi për të mbajtur shpenzimet nën kontroll, duke e mbajtur në “shina”. Parësore është të mos humbësh ekuilibrat dhe t’i mbash çmimet e paprekura deri në atë pikë që nuk cënon vendin e punës së një punonjësi apo vetë biznesin. Nëse sipërmarrësi deri dje ka fituar 10 lekë e sot do të fitojë 5 lekë nuk është ndonjë hata e madhe, do privohet pak nga vetja. Është diçka që duhet ta bëjnë të gjithë duke patur parasysh situatën dhe kohën që jemi duke jetuar. Nga ana tjetër këto biznese duke krijuar këtë raport mirëbesimi me konsumatorin do rrisin besimin ndaj vetes duke bërë që njerëzit të vazhdojnë të konsumojnë tek ata, e patjetër do jetë një investim i mirë për ta kur kjo situatë të ketë mbaruar .
Si lindi ideja për krijimin e nismës që ju tashmë po e shpërndani edhe në rrjetet sociale e madje keni krijuar edhe një faqe në Facebook?
Nga eksperiencat personale që kam patur. Po rendis nja dy të tilla. Para 4 ditësh shkova dhe bleva një çakmak të cilin e blej prej shumë vitesh dhe hisorikisht ka kushtuar 500 lekë të reja. Kur shkoj për ta paguar zonja më tha që çmimi është rritur dhe ka shkuar 1 mijë lekë, pra ishte dyfishuar. Refuzova ta blej, e ktheva mbrapsht jo se nuk kisha mundësi ta blija, por sepse kjo rritje m’u duk abuzive dhe e pajustifikuar. A thua ti shkova të mbush makinën me gaz?! Nuk e kuptoj ku hyn lufta dhe kriza këtu? Aty më kaluan të gjitha gjërat përballë. Nëse subjektet abuzojnë me çakmakun, nuk di çfarë ndodh me produktet e tjera?
Pastaj dhe një subjekt tjetër, pronarin e të cilit e njoh prej vitesh dhe marr shërbime prej tij (për arsye etike nuk po ja përmend emrin). Kishte bërë një rritje 30% për shërbimin që ai ofron. Edhe ajo rritje m’u duk e pajustifikuar. Mënyra se si e servirën pa asnjë argument, lë të kuptosh që thjesht i kishte kërcyer në kokë që i duheshin 500 lekë të reja më shumë për këtë shërbim. Duke parë situatën, e lexova si një shtysë për atë që po ndodh. Duke analizuar shërbimin e tij, ajo rritje nuk është e lidhur me asnjë prej elementëve që kanë ndikuar rritjen e çmimeve sot në botë. Dhe vendosa që tek ky subjekt nuk do shkel më, pavarësisht se më lidh një farë miqësie dhe e frekuentoj prej kohësh.
Pra ju po thoni se do të arrini të ndikoni me këtë nismë që tregu të mos lëvizë çmimet dhe besoni se kjo nuk arrihet me protestë?
Kjo është një protestë! Unë jam një rebel i lindur dhe në mënyrën time protestoj çdo ditë. Nuk kam asgjë kundër protestave të qytetarëve në rrugë dhe asnjë lloj forme tjetër proteste qytetare, që nuk sjell djegie, shkatërrim dhe dhunë, por mendoj që konkretisht kjo është protesta dhe mënyra më e mirë për të zgjidhur problemin që kemi.
Përveç rritjes së çmimeve në mënyrë abuzive unë shoh dhe probleme të tjera të cilave duhet t’i paraprijmë TANI. Për shembull, unë shoh një problem tjetër të madh, i cili lidhet me sezonin e ardhshëm turistik. Fatkeqësisht Ukraina po përjeton një situatë dramatike që do ketë pasoja të rënda ekonomike jo vetëm në produktet ushqimore dhe energjitike por edhe në turizëm. Në 2021 numri i turistëve Ukrainas dhe Rusë në Shqipëri ishte gati 242.000. Pyetja ime është: A ka shteti ynë dhe grupet e interesit një plan se si do ta mbushim këtë vakum të ardhurash të konsiderueshme të munguara? Se jeta vazhdon edhe në luftë. Ne do hapim dyert, do bëjmë sezon, shteti pret taksa nga ata njerëz që do vijnë. Ky është një problem real.
Si mendoni se mund të funksionojë nisma juaj dhe a do ta ndani atë edhe me institucionet?
Qevria mendoj se duhet dhe ka aftësitë të bashkëveprojë. Ajo mund t’u dërgojë një letër dashamirëse gjithë subjekteve, ku i fton të impenjohen që nuk do abuzojnë me çmimet në këtë situatë lufte. Falë Zotit ne nuk jetojmë në një shoqëri totalitare ku shteti imponon çmime, por ne po jetojmë në një situatë pak ndryshe, ku shteti duhet të ekuilibrojë marrëdhëniet mes biznesit dhe konsumatorit.
Siç bëri me Këshillimin Kombëtar, që i ftoi qytetarët të shpreheshin për çështje të caktuara, të njëjtën gjë le të bëjë për bizneset e vogla e të mëdha që të impenjohen për të mos rritur çmimet. Askush nuk mund të thotë që nuk na the, dhe nëse vjen një moment që ai spekulon le t’i tërhiqet veshi.
Në këtë rast konsumatori bëhet determinant, ta monitorojë dhe aty ku duhet ta denoncojë, me foto, me emër dhe me produktin që ai ka shitur ose është duke u abuzuar. Konsumatori duhet gjithashtu ta bojkotojë këtë lloj subjekti, ta neverisë, në mënyrë që ata të ndërgjegjësohen që spekulime të kësaj natyre nuk duhet të ndodhin.
Si mund të stimulohen qytetarët dhe bizneset për t’ju bashkuar nismës?
Për t’u bërë sa më dashamirës ky network, dhe që ky partneritet mes subjekteve dhe konsumatorit të funksionojë, mund të bëhet gjithashtu një hap tjetër. Me të gjithë subjektet që aderojnë tek kjo nismë “Stop spekulimit ndaj konsumatorit” të krijohet mundësia që brenda rrjetit, çdo konsumator të mundet të përfitojë skonto apo oferta. Kjo besoj se do të nxiste edhe ata që nuk janë pjesë e kësaj nisme të bashkohen.