Pas humbjes në zgjedhjet e 6 marsit, por edhe pas kërkesave të disa prej deputetëve, Lulzim Basha dha sot dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.
Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se është i vendosur që të ndihmojë në çdo mënyrë ringritjen dhe bashkimin e demokratëve, duke qëndruar sërish deputet dhe pjesë e rëndësishme e PD-së.
“Kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët. Kjo nuk është një tërheqje për rehati personale, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje se kjo që ka ndodhur këto 6 muaj është bërë për karrigen e kryetarit. Ndaj dua sot ti them kujtdo që ka besuar dhe beson se PD duhet të shohë drejt të ardhmes, se unë jam dhe do jem tërësisht i angazhuar krah jush, do jem zëri juaj, nuk do ta braktis kurrë sakrificën tuaj, nuk do lodhem kurrë për t’u shprehur mirënjohjen, për sakrificat, mundin dhe kontributin tuaj, dhe me vendosmëri do bëj gjithçka, që ato të mos shkojnë dëm, por ti japin forcë vizionit tonë për një Parti Demokratike që zgjedh të ardhmen dhe i prin rrugës së shqiptarëve drejt saj” – tha Basha.
/b.h