Nga Dritan Hila
Pashë tek VOA një shqiptar nga Belgjika i cili tregonte sesi kishte shkuar vullnetar dhe dy ditë pas mbërritjes në Ukrainë, kishte rënë pre e sulmit me raketa nga ana e rusëve ku ishin vrarë 35 dhe plagosur 124 vullnetarë të huaj dhe ukrainas. Djali, pas kësaj, kishte vendosur të kthehej pasi siç edhe tha “nuk ishte i përgatitur për këtë”. Se për çfarë ishte i përgatitur kur shkon ne front, hajde gjeje. Me siguri ka pasur ndërmend të shkonte për të zënë dashnore apo e ka marrë si aventurë autostopi. Për fat ishte gjallë.
Por meqë dëgjoj zëra qe ju bëjnë thirrje shqiptarëve të shkojnë vullnetarë, i lejoj vetes t’i jap ca mendime:
-Shqiptarët nuk janë të përgatitur për luftë në stil të madh. Kanë të paktën 75 vjet që nuk bëjnë asnjë lloj lufte. Për më tepër ne nuk e kemi traditë luftën frontale edhe për faktin se jemi popull i vogël. Aq më pak në hapësira si fushat e Ukrainës apo qytetet e saj.
-Ne nuk kemi haber nga lufta moderne. Më të mirët prej nesh bënin në vitet e ushtrisë mbërthimin dhe zbërthimin e armës, vrap me kundragaz që e shponim se na merrej fryma, si dhe qitje me vetëm tre fishekë në vit. Për më tepër sipas manualeve të vjetruara të Luftës së 2 Botërore. Skena sot ka ndryshuar 100%. Kush ka përgatitjen e mësipërme nuk vlen një lek në luftërat moderne.
-Lufta e sotme parashikon ndeshjen fizike mes ushtarëve vetëm në rajone urbane e cila kërkon përgatitje speciale disavjeçare. Por vdekja të vjen kryesisht ose nga një raketë ose nga artileria. Dmth lufta është një makinë grirëse mishi.
-Në luftë rrallë herë ke rast ta shohësh vrasësin tënd. Ai ose është qindra metra larg dhe ti je pre e breshërive që ai ka lëshuar, ose je viktimë e një prite eksplozive, artilerie apo snajperi, ku ti nuk ke kohë të lësh amanetet, të biesh bukur dhe pastaj këtë ta përjetosh pas ringjalljes. Në rastin më të mirë të shpërthen koka nga një plumb ose shikon gjymtyrët që të fluturojnë apo te derdhen zorrët në tokë. Vdekja në luftë nuk ka asgjë heroike. Pas saj nuk ngjallesh dhe ta tregosh me shokët apo femrat në klub.
-Jeta në front është një ankth mes urisë, pisllëkut, pagjumësisë dhe frikës, në pritje se kur do të vijë plumbi i taksur për ty ose predha që do të humbasë pa nam e nishan.
-Rusët, janë njerëz të mësuar me luftën. Vetëm në 30 vitet e fundit ushtria ruse ka marrë pjesë në 18 konflikte. Përballja me të nuk është film Hollivudi ku ti vret një ose disa rusë nën vështrimin e mahnitur të një fotomodeleje bionde ukrainase që mezi pret të bëhet dashnorja jote. Ka me tepër mundësi që këta tipat që janë kalitur në beteja ekstreme të ta marrin jetën pa e kuptuar. Pyesni ukrainasit, çeçenët, kirkizët, gjeorgjianët, sirianët etj.
-Së fundmi, duhet të dini se të huajt janë vetëm mish për top që përdoret gjithmonë nga komandat në vendet më të vështira dhe pa pyetur për numrin e humbjeve pasi fundja ti nuk je pjesë e inventarit të atij kombi dhe me gjasa as do interesohen t’i kthejnë trupin tënd familjes.
Ndaj kujt i hanë brirët për luftë, le të regjistrohet në ushtrinë shqiptare. E vetmja vdekje qe ja vlen është ajo për familjen-atdheun tënd dhe i vetmi qe ka dhimbsuri për ty është mëmëdheu.