Gazsjellësi Trans Adriatik, (TAP AG) njofton se një sasi prej 10 miliard metër kub (bcm) gaz natyror nga Azerbajxhani ka hyrë tashmë në Europë, nëpërmjet pikës së interkonjeksionit në Kipoi, në kufirin Greqi-Turqi, aty ku TAP bashkohet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP).
Nga sasia 10 miliard metër kub, rreth 8.5 miliard metër kub janë dërguar në Itali.
“10 miliard metër kub (bcm) është një arritje simbolike, por shumë e rëndësishme. Pak më shumë se një viti nga fillimi i aktivitetit tregtar, kemi ofruar shërbim efikas, të vazhdueshëm dhe të besueshëm për transportuesit tanë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë. Aktualisht kemi mundësinë të arrijmë kapacitetin e plotë të transportit prej 10 miliard metër kub në vit. Për më tepër, mund të shtojmë më tej kapacitet nëpërmjet ankandeve me afat të shkurtër”, tha Luca Schieppati, Drejtori Menaxherial i TAP-it.
“Transporti i sasisë së parë të gazit natyror prej 10 miliard metër kub (bcm) në Evropë, rrit likuiditetin në tregjet e gazit dhe përforcon rolin e TAP si një transportues i besueshëm që mund të japë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë e energjisë në Evropë. TAP mund të dyfishojë kapacitetin duke u zgjeruar në disa faza, deri në 20 miliard metër kub brenda 45-65 muajve, në bazë të kërkesave që do të marrim gjatë fazës detyruese të testimit të tregut dhe nëse kërkesat e akumuluara do të dëshmojnë një rezultat ekonomikisht të realizueshëm. Faza e ardhshme detyruese e testimit të tregut është programuar në korrik 2023. Megjithatë, TAP mund të përshpejtojë afatet kohore dhe të nisë fazën detyruese të testimit të tregut gjatë vitit 2022, nëse gjatë konsultimit publik që TAP po zhvillon, shprehet interes për të filluar më shpejt. Ne ftojmë të gjithë palët e interesuara të marrin pjesë në testimin e tregut që po zhvillohet”, shtoi Marija Savova, Drejtore Komerciale e TAP-it.
/a.r