Nga Ylli Pata
Që normalisht ka njerëz, aktivistë, intelektualë që kanë dëshirë e vullnet të organizojnë e drejtojnë protestat e nisura pas 6 marsit në vend, është shenjë pozitive e funksionimit të një shoqërie.
E thënë dhe e stërthënë si aksiomë, vlera e njerëzve që janë reaktivë ndaj vendimeve të padrejta apo padrejtësive të qeverisë, do të mbetet gjithmonë si një shenjë e shëndetit të shoqërisë shqiptare edhe në të ardhmen. E këtu lidhet edhe forma sesi pushteti reagon ndaj protestave, që është gjithashtu shenjë e gjendjes së nivelit demokratik të institucioneve të vendit.
Thënë kjo, për tu zbritur në tërren, çdo protestë qytetare, gjatë rrugës merr ushqim nga opozitat, që i japin ndihmën me aktivistë e militant të tyre për tu bërë më masive. Megjithëse kjo nuk është gjithmonë kështu, pasi në rastin e protestave të studentëve në vitin 2018, ishte pikërisht tentimi i infiltrimit të strukturave partiake që e dëmtoi protestën. Ishin vetë drejtuesit e studentëve që kërkonin largimin e strukturave politike.
Kjo sepse, protesta humb kur strukturat politike kërkojnë të bëhen protagonist dhe tentojnë të mbivendosin axhendat e tyre.
Në vitin 2003, gjatë protestave të MJAFT-it kundër qeverisë “Nano” pati mjaft ndihmë nga strukturat e PD-së dhe opozitës së atëhershme që i dhanë njerëz këtyre organizimeve, që më pas çuan edhe në nisjen e serive të protestave “Nano Ik” që organizoi Sali Berisha.
Edhe në rastin e protestës së këtyre ditëve, hyrja e njerëzve nga e ashtuquajtura “opozita radikale”, pra shkoqur ata që morën pjesë në revoltën e 8 janarit që thyen selinë e PD-së, nuk është fare rastësi. Edhe pse mund të qëllojë që në protesta të ketë bashkëngjitje njerëzish nga opozita. Por në rastin aktual, ka një lidhje direkte të njerëzve që vijnë edhe nga Foltorja edhe LSI-së për ta bërë protestën në një demonstrim force ndaj Edi Ramës.
Natyrisht që në vetën e parë prej Sali Berishës dhe Ilir Metës. i cili jo thjesht ka nxitur revoltën, duke shprehur shqetësimin për çmimet e naftës në ditët e para, por po thërret në presidencë grupe përmbaruesish privatë, për të gjetur grupe interesi të irrituar me vendime institucionale apo administrative, për tu bërë “lëndë e parë”, pra karburant për protestat e nisura, e sidomos për atë të shtunës, e cila është paralajmëruar se do të jetë masive.
Por, në lëvizjet e kryera këto ditë dallon shenja që nuk duket se s’kanë lidhje me njëra-tjetrën. Dështimi i protestave në Gjirokastër edhe Shkodër, ku opozita ka edhe dy nga degët më reactive në vend, duket shenjë e qartë e një përplasje të fortë mes strukturave të PD-së zyrtare dhe atyre të “Shtëpisë së Lirisë”. Përplasje që kanë çuar në dështimin e protestave të paralajmëruara në këto qytete, ku në Shkodër para 1 viti e pak u dogj selia e PS-së pas protestës së organizuar nga opozita.
Duket, se acarimi dhe galvanizimi i protestave do të shërbejë për të ndikuar në betejën për kreun e opozitës shqiptare. E pas fjalës së Lulzim Bashës së është gati të largohet, kjo betejë do të përshkallëzohet edhe më shumë.
Përshkallëzim që fsheh brenda një përplasje të madhe protagonizmi, që secili kërkon ta fitojë edhe në bulevardin përpara kryeministrisë. Është Berisha që kërkon postin e Lulzim Bashës, është Ilir Meta që pret të marrë kreun e opozitës në një forcë që siç thotë Monika Kryemadhi do të jetë më e madhe se “LSI” i rri ngushtë Metës. Është Grida Duma me grupin e saj, që ka vënë ultimatumin dhe hartuar një peticion për largimin e Bashës dhe rihapjen e garës në PD.
E sipas gjasave, ditën e shtunë do të kemi pjesë të këtyre “flamujve” të përfaqësuar në një protestë që duket se nuk është thjeshtë e tillë, por një “kryqëzatë” e pastër politike që synon të dëmtojë sa më shumë “kalanë” e Edi Ramës. Ku me anë të një presioni të fortë, të çojë në veprime të anës tjetër që do të provokojnë ngjarje të forta. Si p.sh. “koka” e ndonjë ministri, që më pas shërben në nisjen e një orteku politik që nuk do të ndalojë kollaj.
Por edhe nëse kjo “kryqëzatë” nuk do të ndalojë, ajo do të tentojë që më shumë sesa në kryeministri, të ndryshojë rrjedhjen e ngjarjeve në selinë e PD-së. Ku sipas gjasave më 22 mars të kemi një “invasion” tjetër “paqësor me pekule” për “të hapur garën”…