Varshava e konsideron provokim për NATO-n, sulmin me predha të ushtrisë ruse në bazën e Javorivit në Ukrainë, që ndodhi të Dielën më pak se 15 kilometra larg kufirit me Poloninë, e ku humbën jetën 35 persona, siç pohoi zv/ministri i jashtëm polak në një intervistë për mediat britanike
Marcin Przydacz: Është e sigurt që Rusia po teston durimin e NATO-s. Rusia po përpiqet të na kërcënojë.
Numri 2 i diplomacisë polake është në të njejtën linjë me presidentin Andzhej Duda, se aleanca duhet të përgatitet për një kundërpërgjigje të fortë të frenuar Rusinë.
Marcin Przydacz: Duhet të jemi të përgatitur, por edhe Rusia duhet të kuptojë dallimin që ka me NATO-n. Ne jemi aleanca më e madhe në botë me ushtrinë më të fuqishme.
Polonia ka mbajtur qëndrimin më të ashpër mes vendeve të aleancës kundër sulmit rus në Ukrainë dhe ka mbështetur deri dërgimin e avionëve në ndihmë të forcave ukrainase.
Media prestigjioze perëndimore japin alarmin se ky sulm rrezikon të përfshijë në luftë me Rusinë edhe NATOn, duke shkaktuar një luftë të tretë botërore. Financial Times paralajmëron përmes një analize se sulmi rus në Javoriv shton mundësinë e zgjerimit të konfliktit përtej territorit ukrainas. Ndërsa Nju Jork Tajms shtron pyetjen se tani që u godit një objektiv ushtarak në portat e aleancës, deri ku do të shkojë Vladimir Putin?
Baza e goditur në Javoriv është e ushtrisë ukrainase dhe prej disa muajsh, atje shërbenin edhe ushtarakë të NATOs për të trajnuar trupat ukrainase. Ndërsa Moska tha se baza e goditur shërbente për grumbullimin e luftëtarëve të huaj, që shkojnë në Ukrainë për të mbështetur forcat vendase në luftë kundër Rusisë.
/a.r