Kolona prej dhjetëra kilometrash që qëndroi në vend për ditë të tëra në rrugën për në Kiev është ripozicionuar në pyje: sipas analistëve, artileritë janë ngritur në pozicion qitjeje.
Sot, fotot e reja satelitore duket se tregojnë që ajo kolonë e ushtrisë ruse është shpërndarë kryesisht, duke u përhapur në pyjet dhe qytetet pranë Kievit dhe duke formuar grupime të reja në veriperëndim të qytetit.
Pra, mjetet e gjurmuara po ripozicionohen me artileri vetëlëvizëse dhe mortaja: kjo do të thotë se plani rus po vazhdon, ngadalë por me siguri – Kharkivi është i rrethuar, Dnipro është nën rrethim, po lëvizet drejt Perëndimit.
Bombardimi i Kievit bëhet gjithnjë e më real, gjithnjë e më i mundshëm: Putini nuk do të ketë mëshirë për këtë qytet.
Kolona ruse u grumbullua jashtë qytetit në fillim të javës së kaluar, por përparimi i saj dukej se ngeci, kur u përhapën lajme për mungesat e ushqimit dhe karburantit.
Amerikanët flasin për 2 javë për përfundimin e rrethimit dhe mbi gjashtë javë për të marrë qytetin. Zyrtarët amerikanë thanë se trupat ukrainase shënjestruan gjithashtu kolonën me raketa antitank.
Dje, burime amerikane konfirmuan rrethimin progresiv të kryeqytetit: ushtria e Moskës ka përparuar rreth 5 kilometra në 24 orët e fundit dhe disa elementë tani janë 15 kilometra larg qytetit.
Kësaj situate i shtohen zërat, shumë shqetësuese, për armët kimike: Moska akuzon Kievin se i ka ndërtuar ato dhe se ka patur mbështetjen e Perëndimit; Shtetet e Bashkuara, të cilat pretendojnë se këto akuza nuk shërbejnë veçse për të përgatitur terrenin për sulmet ruse me këtë lloj armatimi, siç ndodhi në Siri – pikërisht me bekimin e Moskës./ bota.al