I ftuar në ‘Radari Informativ’ në Abc me gazetaren Juli Xhokaxhi, ish-deputeti dhe zv.ministri demokrat, Florion Mima, ka theksuar se rritja e çmimeve në Shqipëri e naftës por dhe produkteve ushqimore është mjaft shqetësuese.
Ndërkohë që bëri paralajmërimin e fortë se në ditët në vijim pritet të shpërthejë edhe ‘bomba’ e madhe, e cila sipas tij është rritja e çmimit të energjisë elektrike, çka do të sjellë kolaps në ekonomitë familjare.
‘Bomba më e madhe që ende nuk ka shpërthyer është energjia elektrike’, tha Mima.
Sa i përket çmimit të naftës Mima tha se sot taksat e vendosura nga shteti janë shumë të larta, duke theksuar se ato janë dyfishuar në krahasim me vitin 2008-të.
‘Në 2008 taksa që merrte shteti ishte 600 lekë të vjetra, sot është 1260 lekë për litër. Sot ne kemi akcizë tvsh, taksë karboni, 3 taksa. Tarifë për markimin, për skanimin, për kontrollin e pompave dhe për licencimin. Biznesi është një agjent në duart e qeverisë që mbledh taksat nga populli dhe i derdh atje ku derdhen’, u shpreh Mima.