Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se nëse Rusia vazhdon bombardimet në Ukrainë, atëherë sanksionet që janë vendosur “nuk janë të mjaftueshme”.
Në një video të publikuar nga rrugët e Kievit, Zelensky tha se sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë “duhet të jenë më të forta”.
“Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë për ne, për Ukrainën dhe për veten. Ne jemi duke pritur”, tha ai.
Presidenti u shpreh se janë organizuar 12 korridore të reja evakuimi për civilët që duan të largohen nga lufta.
Ai shtoi se ngarkesat me ushqime dhe ilaçe janë rrugës për në qytetet dhe qytezat e Izyum, Enerhodar, Volnovakha, Polohy, Bucha, Hostomel, Borodyanka, Andriivka, Mykulychi Makariv, Kozarovychi dhe Mariupol.
“Ushtria ukrainase ka siguruar një armëpushim për funksionimin e këtyre korridoreve humanitare”, tha presidenti, Zelensky duke paralajmëruar se “nëse Rusia fillon të qëllojë përsëri dhe ndërpret evakuimin e njerëzve, do të marrin një përgjigje nga bota”.
“Nëse e bëjnë, Rusia do të ketë edhe vetë nevojë për korridoret humanitare, gjithashtu”, tha Zelensky.
/b.h