Pas 8 orësh ulur përballë portretit të Vladimir Putinit, për mua është më e qartë se qeveria është e vendosur të shtypë disidencën. Ky artikull është botuar duke ruajtur anonimitetin e qytetarit për arsye sigurie.
Ora 2 e pasdites:Largohem nga stacioni i metrosë Kitay-Gorod. Teksa dal prej andej, duket sikur nuk ka asnjë shenjë se ndodhem në kryeqytetin e një vendi në luftë. Por sapo kalova Muzeun Politeknik të Moskës, u përballa me një kordon policor që mbulon të gjitha hyrjet drejt selisë së Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) në Sheshin Lubjanka. Shumica e policëve janë të maskuar me kapuçë. Në Moskë është shumë ftohtë dhe këto veshje ofrojnë jo vetëm ngrohtësi, por edhe anonimitet. Disa lëvizje proteste njoftuan tubime kundër luftës në Moskë më 6 mars. Ekipi i liderit të opozitës Alexey Navalny, njoftoi një takim në Sheshin Manezhnaja, pikërisht përballë Kremlinit.
Një koalicion feministësh dhe të majtësh thirri një tubim në orën 15:00 në një hapësirë tjetër publike, Sheshi i Tre Stacioneve. Paralelisht, një grup i veçantë protestuesish shkuan në sheshin qendror Pushkin. Gati të gjitha strukturat e opozitës në Rusi janë shkatërruar, dhe kushdo që organizon një tubim ndalohet që përpara protestave, edhe vetëm për publikimin e lajmërimit për protestat e ardhshme.
Lëvizja ruse e protestave kundër luftës po bëhet gjithnjë e më e decentralizuar. Në këto kushte, pika nistore dhe koha e fillimit të protestave mund të ndryshojnë. Kthehem në rrugën Nikolskaja. Si zakonisht, këtu ka shumë turistë, dhe atyre që duan të bëjnë një ekskursion rreth qendrës së Moskës u afrohen guida turistike.
Por Sheshi i Kuq dhe Sheshi Manezhnaja janë të rrethuar me gardhe metalike dhe ruhen nga policia. Kalimtarët bëjnë fotografi të “kozmonautëve”, një term popullor me të cilin etiketohen forcat policore që merren me shtypjen e trazirave.
Përpara Teatrit Bolshoi, ndodhet një parking i madh për furgonat e policisë, fare pranë monumentit të Karl Marksit. Në Shën Petersburg dhe Nizhny Novgorod, përdoren edhe autobusët e linjave urbane për të transportuar drejt burgjeve të arrestuarit kur policisë i mbaron hapësira në furgonat e tyre.
Është e vështirë të përcaktohet numri total i protestuesve. Por sot policia i mbushi furgonët me shpejtësi. Të arrestuarit detyrohen të qëndrojnë të mbledhur grup për disa orë derisa të dërgohen në komisariat. Lajmërova në platformën Telegram se një grup protestuesish po qëndron pranë godinës së fakultetit të gazetarisë të Universitetit Shtetëror të Moskës.
Ndodhet matanë rrugës, në sheshin Manezhnaja tashmë të bllokuar. Rrugës për atje ndodhem pranë statujës së Marksit. Aty nuk ka mbetur më asnjë protestues. Dy policë vijnë drejt meje, më kërkojnë dokumentin e identifikimit, dhe më pas të shkoj drejt një furgoni për t’ia dorëzuar të dhënat departamentit të policisë.
Në këtë situatë është e kotë të debatosh. Ndaj shkoj me oficerët në minibusin e tyre.
Më arrestuan shumë shpejt, pa përdorur forcën. Por, sipas shërbimit të monitorimit të paraburgimit policor, OVD-Info, të paktën 34 protestues në qytete të ndryshme u rrahën rëndë nga policia ruse më 6 mars.
Demonstruesit u goditën me grushte, shkelma, u rrahën me shkopinj dhe u goditën me elektroshok. Në këtë drejtim u dallua veçanërisht departamenti i policisë në Bratevo, në periferi të Moskës. Aty oficerët e policisë hodhën ujë mbi aktivistet feministe, duke i goditur dhe ofenduar.
Pjesëmarrësja në protestë Alexandra Kaluzhskikh arriti të regjistrojë në mënyrë të fshehtë marrjen në pyetje dhe torturimin nga oficerët e policisë. “Putini është në anën tonë. Ju jeni armiqtë e Rusisë. Ju jeni armiqtë e popullit. Tani do t’ju zhdëpim në dru dhe kaq. Dhe për këtë do të marrim edhe një bonus!”- i bërtiti asaj një polic.
Në këto kushte pak njerëz vendosin t’i bashkohen sërish një proteste. Herën e parë që ndalohesh në një tubim, mund të përballesh me një gjobë deri në 15.000 rubla. Nëse ndalohesh sërish brenda një viti, mund të përballesh me arrest administrativ deri në 30 ditë ose me gjobë deri në 300.000 rubla. Dhe nëse arrestohesh më shumë se 2 herë në 6 muaj, mund të përballesh me një padi penale, me një perspektivë reale për të mbetur për një kohë të gjatë pas hekurave.
“Skafandra juaj është veshur me avull”- i bërtet një polici një i ri i burgosur në furgonin tonë. “E pse përpiqesh t’i zemërosh”- e pyes. “A nuk nuk janë këta që do të merren me ne atje?”- përgjigjet ai.“E turpshme, liri!”- bërtet një tjetër i burgosur.
Në fillim mendoj se ky djalë është një polic i maskuar:I veshur me një xhaketë dimërore, ai ka trupin e një oficeri tipik policie. Ndoshta e kam gabim, pasi e mbajtën gjithë ditën në komisariat bashkë me ne. Meqë s’kishte me vete pasaportën, i morën shenjat e gishtave, edhe pse me ligj, një person ka të drejtë ta refuzojë këtë procedurë.
Në furgonin tonë ishin 25 persona; më shumë se gjysma e tyre nuk morën pjesë në protesta, por vetëm po qëndronin në këmbë ose ishin duke ecur pranë protestës. Kur u lirova vonë, lexova se në qendër të Moskës, policia po ndalonte kalimtarët e zakonshëm në bazë të rrobave që kishin veshur.
Në disa raste, për të vendosur nëse do të ndalohej apo jo një person, policia kërkonte që ata të zhbllokonin telefonat për të lexuar mesazhet e tyre. Dikur lexoja se diçka të tillë policia e bënte në Çeçeni. Tani kjo praktikë ka mbërritur në kryeqytet.
Furgoni ynë u mbush shpejt dhe shkoi gati menjëherë në komisariat. Rrugës, fshiva të gjitha aplikacionet që kisha telefon – aplikacionet Telegram, Signal – që mund të ishin me interes të veçantë për policinë, madje edhe disa foto. Të afërmit filluan të thërrasin njerëzit në furgon, pasi një furgon tjetër me të arrestuar ishte përmbysur rrugës.
Bashkë të burgosurit e mi janë femra dhe meshkujt kryesisht të moshës 20-30 vjeç. Ka edhe disa të moshuar. “Oh, edhe sa kohë do të na mbajnë kështu?”- ankohet njëri prej tyre. Askush nuk iu përgjigj:Shumica e kuptojnë se nuk do të lirohen shpejt.
Na futën në një stacion policie në periferi të Moskës. Pavarësisht rasteve të dhunës në komisariate të tjera, ky është thuajse shembullor. Ai është rinovuar kohët e fundit. Na çuan në sallën e mbledhjeve. Në mure vareshin 3 portrete të Vladimir Putin dhe një i Ministrit të Brendshëm Vladimir Kolokoltsev.
Merremi në pyetje nga oficerët e policisë dhe hetuesit për rreth 6 orë. Gjatë kësaj kohe, policia e ngre disa herë zërin. Të gjithë oficerët duken të përgjumur dhe gati tërësisht indiferentë ndaj asaj që po ndodh. “Nëse dikush do të ngrejë zërin ndaj jush, unë kërkoj ndjesë. Ne nuk kemi pasur prej javësh asnjë ditë pushim, dhe nuk i shohim familjet tona.
Ne nuk mund t’iu shpjegojmë konkretisht pse jeni arrestuar. Ne jemi një seksion tjetër i policisë, nuk dimë specifikat e punës së kolegëve”- na thotë një oficer policie. Përveç policëve të qarkut, të njëjtat pyetje na bëjnë edhe hetuesit. Njëri prej tyre po përpiqet të na bëjë presion për të nxjerrë informacione.
Dy kolegë të tij, hetues më të rinj, janë indiferentë. Madje njëri prej tyre na kërkoi falje për atë që po ndodhte. “Si i keni marrëdhëniet me regjimin?”-me pyet njeri prej tyre. “Shkruaj në procesverbal se nuk kam lidhje me të”-i përgjigjem. Por ai nuk regjistron asgjë në lidhje me pikëpamjet e mia. Pavarësisht masave të ashpra, njerëzit në Rusi vazhdojnë të shkojnë në tubimet kundër luftës.
Përdoren edhe forma të tjera proteste:njerëzit shtypin në shtëpi ose punë parulla propagandistike kundër luftës; përhapin thirrje për të mos paguar faturat e shërbimeve, për të mos e financuar shtetin. Disa marrin disa ditë pushimi nga puna në përpjekje për ta dëmtuar ekonominë.
Përveç ndalimeve, rusët janë përballur edhe me probleme të tjera që nga fillimi i luftës: pamundësia për të marrë informacion nga mediat e pavarura. Uebsajtet e pothuajse të gjitha publikimeve të pavarura tani janë bllokuar.
Roskomnadzor, organi rus i censurës, është fokusuar në bllokimin e Facebook dhe Twitter. Sipas Net Freedom, gjobat e zakonshme ndaj protestuesve janë 30.000-60.000 rubla. Që nga 24 shkurti, në Rusi janë arrestuar 13.583 persona gjatë protestave kundër luftës.
*Marrë me shkurtime