Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë një kërkesë urgjente për Ukrainën që të shkatërrojë patogjenët me rrezik të lartë në laboratorët shëndetësorë të vendit.
Kjo kërkesë, tha OBSH, vjen si nevojë e ngutshme për të shmangur “rrjedhjet e mundshme” që do të përhapnin sëmundje në popullatën vendase dhe më gjerë nëpër botë.
“OBSH ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë në Ukrainë dhe organet e tjera kompetente duke u kërkuar që të shkatërrojnë patogjenët me rrezik të lartë për të parandaluar rrjedhjet e mundshme”, i tha një zyrtar i OBSH-së, agjencisë amerikane të lajmeve Reuters.
Pushtimi rus i Ukrainës, me lëvizjet e trupave dhe bombardimet e qyteteve, rriti rrezikun e lëshimit të patogjenëve dhe dëmtimit të ndërtesave nga lufta, duke rrezikuar shumë që viruset të përhapen.
Ekspertët e biosigurisë që citon Reuters thonë se lëvizja e trupave ruse në Ukrainë dhe bombardimet e qyteteve të saj kanë rritur rrezikun e daljes së patogjenëve që shkaktojnë sëmundje, nëse dëmtohet ndonjë prej këtyre objekteve laboratorike.
OBSH thotë se ka punuar me laboratorët ukrainas prej vitesh për të promovuar praktikat e sigurisë që ndihmojnë në parandalimin e “lëshimit aksidental ose të qëllimshëm të patogjenëve”.
Megjithatë, OBSH pranon se situata është e tillë që e detyron të bëjë kërkesën e ngutshme. Zyrtarisht OBSH nuk tha se çfarë patogjenësh ndodhen në laboratorët ukrainas.
Nga ana tjetër, qeveria në Ukrainë nuk ka dhënë informacion nëse është duke zbatuar këshillën e OBSH.
Ashtu si shumë vende të tjera, Ukraina ka laboratorë të shëndetit publik që hulumtojnë se si të zbusin kërcënimet e sëmundjeve të rrezikshme që prekin si kafshët ashtu edhe njerëzit, duke përfshirë, së fundmi, COVID-19. Laboratorët e saj kanë marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OBSH.
/a.r