Thirrjet që vullnetarë nga Bosnja dhe Serbia t’i bashkohen forcave pro-ruse në Ukrainë po marrin një përgjigje të fortë në rrjetet sociale – por sa shumë po shkojnë në të vërtetë është më pak e qartë.
Nga Nermina Kuloglija dhe Azra Husaric
Një ditë përpara se Rusia të fillonte sulmet e saj në Ukrainë, më 24 shkurt, kryekomandant i vetëshpallur çetnik serb Bratislav Zivkoviç tha për faqen e internetit RuSerbia.com se, “shumë vullnetarë serbë janë gati të shkojnë në Donetsk” – bastioni pro-rus në Ukrainën lindore, një rajon të cilin nacionalistët rusë e quajtën NovoRossiya, ose Rusia e Re.
“Shumë njerëz që duan të mbrojnë Novorossiya-n po më dërgojnë mesazhe. Mos e vini në dyshim… Do të ketë serb atje, si gjithmonë”, tha Zivkoviç.
Shtatë ditë më vonë, më 2 mars, Zivkoviç i tha BIRN se vullnetarë serbë kishin mbërritur tashmë në Ukrainë për të luftuar për Rusinë dhe dy shtetet e vetëshpallura të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore, Republikat Popullore të Luhanskut dhe Donetsk, ndonjëherë të njohura kolektivisht si LDPR.
“Midis vullnetarëve që luftojnë për LDPR-në janë serbë që ishin atje më parë, disa e gjetën veten në Rusi dhe disa të sapoardhur, megjithëse jo shumë, për shkak të vështirësive të transportit”, tha Zivkoviç. “Por interesi është i madh.”
Ai thuhet se ka jetuar në LDPR për tetë vjet.
Duke përmendur serbët që kishin arritur tashmë në frontin e betejës ukrainase, ai tha se nuk mund të ofrojë informacione më konkrete për ta, apo për rrugët që ata përdorën, pasi “njerëzit do të akuzohen drejtpërdrejt për një vepër penale”.
Pjesëmarrja në një luftë të huaj është e paligjshme në Serbi. Prokuroria e Lartë Publike në Krushevc hapi dhe më pas ndërpreu një hetim kundër Zivkoviçit për organizimin e pjesëmarrjes në raundin e parë të luftës në Ukrainë, në vitin 2014.
Pas shpërthimit të parë të luftimeve në Ukrainë në vitin 2014, Baza e të Dhënave e Vendimeve për Terrorizëm dhe Luftimet në Frontet e Huaja e BIRN identifikoi 16 persona nga gjithsej 29 që Serbia dënoi për këtë krim. Të gjithëve iu dhanë dënime me kusht. Mali i Zi dënoi një person për pjesëmarrje në luftime.
Policia në Bosnje dhe Hercegovinë vlerëson se rreth 10 ose më shumë vullnetarë luftuan në Ukrainë. Gjykatat në Bosnje gjykuan vetëm një person për krimin – i cili u shpall i pafajshëm.
Gavrilo Steviç u akuzua se ishte larguar nga Beogradi në Moskë dhe më pas në Ukrainën lindore, ku iu bashkua formacionit paraushtarak “Jovan Sevic” si vullnetar.
Sipas një vendimi të Gjykatës Shtetërore të Bosnjës, ai u lirua nga akuzat për bashkim me formacionet e huaja paraushtarake ose parapolicore dhe luftime në Ukrainë.
BIRN nuk ishte në gjendje të konfirmonte pretendimet e Zivkoviçit për mbërritjen e luftëtarëve serbë dhe serbë të Bosnjës në Ukrainë.
Udhëtimet drejt Rusisë dhe Ukrainës janë reduktuar pasi një numër vendesh evropiane pezulluan fluturimet drejt Rusisë për shkak të pushtimit.
Por Serbia nuk është një nga ato vende, dhe Air Serbia ende kryen fluturime midis Beogradit dhe Moskës.
Dhe, ndërsa pjesëmarrja në luftime të huaja është e paligjshme në Bosnje dhe Serbi, dënimet e buta të dhëna herën e kaluar mund të mos ndikojnë në vendimet e shumë vullnetarëve.
Ashtu si në Serbi, nuk ka të dhëna zyrtare për largimin e shtetasve boshnjakë në Ukrainë gjatë ditëve të fundit.
Në të dyja vendet, shumë përdorues të rrjeteve sociale shprehin gatishmërinë për të shkuar atje, por ekspertët thonë se është e pamundur të vlerësohet nëse opinionet e shprehura në rrjetet sociale pasqyrojnë situatën aktuale.
Vullnetarët dërgohen në Donbas në “mënyrë të organizuar”
Nuk ka dyshim se shtetet e shkëputura në Ukrainën lindore, të quajtura shpesh Donbas, dhe mbështetësit e tyre duan vullnetarë të huaj.
Alexander Borodai, udhëheqës i të ashtuquajturës Sindikata e Vullnetarëve të Donbasit dhe “kryeministri” i parë i Republikës së shkëputur të Donetskut, tha së fundmi në një televizion lokal se “ka ardhur koha” për rekrutim.
“Sindikata e Vullnetarëve të Donbasit, veçanërisht unë dhe selia e Sindikatës, po merremi me mobilizimin”, thuhej në një transkript të deklaratës së tij të publikuar në llogarinë e Sindikatës në Telegram më 18 shkurt.
“Ne po mobilizojmë vullnetarë për t’i dërguar ata në mënyrë të organizuar për të ndihmuar republikat e Donbasit dhe popullsinë ruse të Donbasit”, shtoi ai.
Po atë ditë, Sindikata njoftoi ngritjen e një force rezervë vullnetarësh, duke thënë se të interesuarit duhet të kontaktojnë selinë për t’u bashkuar.
Vullnetarët nga Serbia dhe nga entiteti serb i Bosnjës, Republika Srpska, luftuan në anën ruse në Donbas në konfliktin e parë ushtarak në Ukrainë në 2014.
Kacper Rekawek, nga Qendra për Kërkime mbi Ekstremizmin e Universitetit të Oslos, thotë se thirrjeve për të shkuar në Ukrainë u janë përgjigjur më parë serbët, të cilët udhëtuan për në Donbas.
Ndërsa thirrjet për vullnetarë në vitin 2014 ishin më të fshehta, tani ato janë të dukshme në të gjitha rrjetet sociale dhe përfshijnë këshilla se si të arrini në frontin e betejës, vuri në dukje ai.
“Kjo mundëson mobilizimin e individëve… Do të shohim se sa njerëz do të shkojnë. Jam i sigurt se do të ketë më shumë se në 2014”, tha Rekawek.
Por Predrag Petroviç, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë se largimet sot, në krahasim me vitin 2014, kanë më shumë peshë politike sesa ushtarake.
“Ata vullnetarë nuk mund të bëjnë një ndryshim të konsiderueshëm tani siç bënë në vitin 2014 apo 2015. Operacioni ushtarak tani është më i gjerë. Ato janë thjesht një pikë e vogël në oqean”, tha Petroviç.
Megjithatë, mbart një peshë politike që organizata të tilla janë të gatshme të marrin pjesë në operacione ushtarake, të cilat mund të kenë pasoja për Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse pjesëmarrja në konflikt ka rëndësi, tha Petroviç.
Thirrja e publikuar nga Sindikata e Vullnetarëve të Donbasit shoqërohet me udhëzime për aplikuesit.
Vullnetarët duhet të japin emrin e tyre të plotë, datën e lindjes, specialitetin ushtarak, përvojën në operacionet ushtarake dhe numrin e telefonit të kontaktit.
As Sindikata dhe as numrat e telefonit të listuar në thirrje, nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN rreth procesit deri në momentin e publikimit.
Sindikata, e cila mbledh ish-vullnetarë, më parë dekoroi disa luftëtarë nga Bosnja dhe Serbia.
Një nga këta ish-luftëtarë i tha BIRN se, sipas njohurive të tij, asnjë vullnetar nuk ishte nisur ende nga Bosnja, apo Serbia, në Ukrainë.
Shoqatat e Kozakëve mbledhin gjithashtu vullnetarë nga Ballkani dhe gjetkë, për të luftuar për Rusinë në Ukrainë.
Nikola Djakonov, një ish-anëtar i Bordit Drejtues të Sindikatës së Vullnetarëve të Donbasit, tani komandant suprem, ose Ataman, i Sindikatës së Ushtarëve Kozakë të Rusisë dhe Jashtë Vendit, ka lidhje me Kremlinin. Presidenti Putin e ka dekoruar atë.
Djakonov gjithashtu ka lidhje me serbët e Bosnjës. Ai vizitoi qytetin serb të Bosnjës të Banja Lukës në vitin 2014, gjë të cilën disa e panë si një shfaqje mbështetjeje për kandidaturën e udhëheqësit serb të Bosnjës Milorad Dodik për postin e presidentit të Republikës Srpska.
Ai ka publikuar thirrje për vullnetarë në llogarinë e tij në Facebook që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Djakonov shkroi se ky ishte një moment i rëndësishëm dhe vendimtar në historinë ruse. Ishte koha për të “mbrojtur qytetarët e republikave të pavarura të Donetskut dhe Luhanskut nga gjakderdhja e neo-nazistëve”.
Kozakët kanë qenë gjithmonë vendimtarë për mbrojtjen e kufijve rusë dhe ai shpresonte se ata nuk do ta linin në baltë tani lavdinë e Kozakëve, tha ai.
“Detyra jonë në këto ditë të vështira dhe vendimtare të historisë botërore është të mbështesim presidentin Putin dhe forcat tona të armatosura, të cilat po zgjidhin detyrat më të rëndësishme gjeopolitike. Nëse nevojitet ndihmë, mos rrini duarkryq”, shkroi Djakonov.
Një tjetër organizatë kozake, Ushtria Kozake e Ballkanit, anëtarët e së cilës më parë bënë thirrje për nisje në luftën në Ukrainë, nuk ka folur që nga fillimi i pushtimit rus. BIRN nuk ishte në gjendje të kontaktonte as me Djakonovin, as me Ushtrinë Kozake të Ballkanit.
Përveç Kozakëve, organizata të tjera pro-ruse në rajon më parë kanë bërë thirrje dhe kanë mirëpritur largimet e vullnetarëve në frontin e betejës në Ukrainë.
Kthim o borxhit për Rusinë dhe hakmarrje ndaj Perëndimit
Petroviç tha se duke inkurajuar largimet në Ukrainë, organizatat e krahut të djathtë në Serbi po minojnë politikën zyrtare të Serbisë të neutralitetit ushtarak.
“Sipas hulumtimit tonë, organizatat që propagandojnë largimet në frontin e betejës ukrainase janë … duke pasur sukses të madh dhe duke rezonuar me qytetarët serbë”, tha ai.
Ai tha se shumë serbë e mbështesin atë që po bën regjimi rus në Ukrainë, pasi kjo përfaqëson një lloj drejtësie për ta, përballë mbështetjes perëndimore për republikat separatiste jugosllave dhe Kosovën në vitet 1990. Perëndimi, me fjalë të tjera, “tani po përballet me atë që i bëri Serbisë në vitet 1990”.
Nisje të reja duke përdorur rrugë të vjetra
Dejan Beriç, një vullnetar serb i cili iu bashkua forcave pro-ruse në LDPR-në e vetëshpallur si snajperist disa vite më parë, mbështeti thirrjet për t’iu bashkuar luftës në rrjetet sociale.
“Mendoj se pas kësaj videoje, nuk do të jem online për ca kohë… Lufta ka filluar, ka filluar ashpër”, tha ai në një video të postuar në YouTube më 21 shkurt.
Në fund të videos, Beriç tha se do të kontaktojë sërish kur të ketë akses në internet, ndoshta nga ndonjë territor tjetër.
Dy ditë më vonë ai postoi një fotografi të një snajperi në llogarinë e tij në Facebook, duke thënë se do të mungojë për një kohë. Beriç nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara nga BIRN deri në kohën e publikimit.
Ai ka shkruar më parë se tashmë ka një pasaportë të LDPR-së, ndaj e konsideron si detyrim t’u bashkohet forcave pro-ruse.
Dejan Vuliç nga Sabaci dhe Momir Simiç, të cilët më herët kanë ndarë foto me uniformë ushtarake me Beriçin, së fundmi kanë postuar foto të reja me uniformë ushtarake.
Më 24 shkurt, ditën e parë të pushtimit rus, Vuliç postoi një foto të tij me uniformë me një pushkë që qëndronte pranë një dërrase ku shkruhej: “Rusi”. Një koment më poshtë thotë: “Xhaxha, kujdes”.
Megjithatë, ai tha për BIRN se në fakt nuk ishte në Ukrainë për momentin, pasi e kishte dhënë kontributin e tij më parë.
“Unë kam bërë pjesën time, si të thuash, dhe tani ushtria e rregullt ruse do të përfundojë pjesën tjetër”, tha ai për BIRN.
Mirëpo, miq të ndryshëm komentuan në postim sikur ai të ishte në Ukrainë, duke i uruar fat dhe “të kthehet gjallë dhe shëndoshë e mirë”. “Më telefono nëse je në Ukrainë të bëjmë ndonjë lojë”, shkroi Milan Djordjeviç.
Simiç nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve të BIRN nëse ai është në frontin e betejës.
Dejan Sesum, nga Beogradi, ka postuar një foto të tij me veshje ushtarake me pushkë në dorë, duke shprehur mbështetje për Rusinë. Duke gjykuar nga postimet e tij, Sesum është anëtar i një ekipi të Airsoft Club.
Nën postim, Milan Stojkoviç ka shkruar: “Vëlla, do të shkojmë, nëse duhet”. Stojkoviç nuk iu përgjigj pyetjeve nga BIRN për largimin e tij deri në kohën e publikimit.
Petroviç i tha BIRN se rrugët e nisjes për në frontet e betejës nuk do të ndryshojnë nga ato që u përdorën për të udhëtuar nga Serbia në Ukrainë në vitin 2014.
“Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe numri i fluturimeve nga Serbia në Rusi është rritur”, tha Petroviç.
Policia Kufitare e Serbisë dhe Air Serbia nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN për numrin e shtetasve boshnjakë që kishin udhëtuar drejt Moskës në periudhën e kaluar deri në kohën e publikimit.
Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës tha se po punonte mbi disa akuza për shtetasit boshnjakë që udhëtonin në frontet e betejës në Ukrainë në të kaluarën dhe po i kontrollonte ato me ndihmën e policisë dhe agjencive të sigurisë.
“Çdo serb është një vëlla rus”
Ndërkohë, një organizatë serbe e ekstremit të djathtë, Patrullat e Popullit, zhvilloi një tubim proteste në mbështetje të Rusisë në Beograd më 4 mars duke pretenduar se Putin po lufton “qeverinë naziste pro-perëndimore” të Ukrainës.
Damnjan Knezeviç, një përfaqësues i organizatës, me një shenjë Z në xhaketën e tij, shprehu mospajtim me aktin e lidershipit politik serb. “Çdo serb është një vëlla rus”, tha ai.
Serbët do të mblidheshin në Rusi “pa marrë parasysh presionit nën të cilin do të jemi”, tha Knezeviç, i njohur për shprehjen e qëndrimeve kundër emigrantëve dhe kundër vaksinimit.
Siç u njoftua, kreu i një organizate tjetër të ekstremit të djathtë Obraz, Mladen Obradoviç, mori pjesë gjithashtu.
Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi organizatën e tij në vitin 2012, por ajo ka vazhduar të ekzistojë duke ndryshuar pjesërisht emrin e saj. Kjo më pas u regjistrua zyrtarisht në 2019.
Borko Rajiç, i cili tha se do të ishte i lumtur të shkonte si vullnetar në Ukrainë në seksionin e komenteve nën postimin e Dejan Beriçit të përmendur më sipër, tha për BIRN se e konsideron veten të detyruar të ndihmojë vëllezërit e tij rusë që kishin ndihmuar vullnetarisht serbët në Bosnje dhe Kosovë.
“Por kjo nuk është arsyeja e vetme”, tha ai. “Arsyeja më e madhe është se dikush më në fund është ngritur kundër një rendi të ri botëror që synon të zvogëlojë njerëzimin”, tha ai duke shtuar se e sheh luftën si një luftë kundër forcave më të errëta që kanë filluar të shfarosin ose zvogëlojnë numrin e njerëzve në tokë.
/a.r