Nga Eduard Zaloshnja
Pavarsisht nga nuancat lokale të secilës nga gjashtë bashkitë e 6 marsit, votimi i së djelës na dha mundësinë të bëjmë një lexim të parcelizimit aktual të sinorit opozitar elektoral. Një lexim që vlen si për politikanët kryesorë të opozitës, ashtu edhe për përkrahësit e tyre.
Duke analizuar rezultatet e 25 prillit të vjetshëm dhe ato të 6 marsit në territorin e gjashtë bashkive së bashku, rezulton se për çdo 10 votues të vjetshëm të subjekteve opozitare (PD-AN, LSI, etj. etj.), 4 nuk votuan fare të djelën, 4 votuan për kandidatët e Shtëpisë së Lirisë, dhe 2 votuan për kandidatët e PD-së zyrtare. Por edhe sikur të gjithë votuesit e vjetshëm opozitarë (të PD-AN, të LSI, etj. etj.) të kishin dalë të votonin për një listë unike opozitare kandidatësh (e jo për dy lista në konkurrencë me njëra-tjetrën), kandidatët unikë të opozitës do ta kishin shumë të vështirë të fitonin përballë kandidtaëve të majtë në 5 bashkitë e fituara nga mazhoranca.
Pas një viti do të zhvillohen zgjedhjet e rregullta në të gjitha bashkitë e vendit. Dhe në qoftë se sinori opozitar do të jetë përsëri i parcelizuar, gjasat janë që mazhoranca të fitojë përsëri shumicën dërrmuese të bashkive (përveç ndonjë bastioni historik si Shkodra, Tropoja, Kukësi, apo ndonjë tjetër).
Sesi mund të arrihet një bashkim gjithëpërfshirës i opozitës deri në pranverën e ardhshme, është detyrë e politikanëve opozitarë për ta eksploruar. Parcelizimi u garanton vetëm disfatë…