I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Perëndimi nuk duhet të lejojë Rusinë që të përdorë luftën e saj në Ukrainë për të penguar përparimin e shteteve në Ballkanin Perëndimor.
“Rusia nuk është duke synuar interesat më të mira të këtyre shteteve. Ekonomitë tuaja janë të lidhura në Evropë. Partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe investitorët janë në Bashkimin Evropian. E ardhmja juaj është në Evropë, si vende anëtare të Bashkimit Evropian”, ka thënë Escobar sipas një deklarate të publikuar nga Ambasada amerikane në Beograd.
“Ka ende shumë punë për të bërë në Ballkanin Perëndimor. Punë për të integruar rajonin në aspektin ekonomik. Punë për të gjetur kompromise dhe zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e pazgjidhura kufitare. Le ta shfrytëzojmë këtë krizë për të siguruar gjeneratat e së ardhmes në Ballkanin Perëndimor që të jetojnë në shtetet e integruara plotësisht në Bashkimin Evropian dhe në një Evropë të lirë dhe në paqe.
Escobar ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të jenë partnere të këtij rajoni në këto përpjekje.
“Ne duhet të shfrytëzojmë këtë shembull për të dyfishuar përpjekjet për të arritur marrëveshje kompromisi në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe të ndalim veprime që kërcënojnë stabilitetin dhe përparimin në Bosnje-Hercegovinë”.
Zyrtari amerikan ka thënë se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse dhe se Perëndimi duhet t’i ndihmojë Ukrainës që të luftojë pushtimin rus para se të rriten mizoritë dhe që Evropa të destabilizohet edhe më shumë.
“Veprimet e koordinuara nga aleatët dhe partnerët kanë rritur presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Forcat e Ukrainës janë duke ngadalësuar pushtimin dhe duke shkaktuar humbje të mëdha forcave ruse. Sanksionet tona kanë shkëputur Rusinë nga sistemi financiar global dhe ekonomia ruse do të nisë të shkatërrohet”.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./m.j