Pushtimi rus i Ukrainas duket se nuk ka marrë ndonjë territor të rëndësishëm përgjatë fundjavës pavarësisht luftimeve të rënda.
Kievi pretendon se ka rimarrë një qytet, ka shkatërruar dhjetëra helikopterë rusë gjatë natës, si edhe ka vrarë 11,000 trupa, duke ndezur shpresat se Ukraina mund ta fitojë luftën.
Trupat ruse rinisën bombardimet në Mariupol, Chernihiv, Mykolaiv dhe Kharkiv mëngjesin e së hënës, ndërsa qindra civilë u përpoqën që të evakuoheshin nga Irpin, në periferi të Kievit, përmes një ure të shkatërruar nga pas disa ditësh sulme në përpjekje për të rrethuar kryeqytetin.
Por komandantët rusë nuk e kanë avancuar ndjeshëm në vijën e tyre të frontit që kur qyteti i Khersonit dhe termocentrali bërthamor në Zaporizhzhia u pushtuan javën e kaluar.
Ndërkohë forcat e armatosura ukrainase pretenduan se kishin shkatërruar deri në 30 helikopterë rusë që ishin zhvendosur në aeroportin Chornobaivka, afër Kherson, gjatë natës dhe se kishin rimarrë qytetin Chuhuiv, afër Kharkiv, duke vrarë dy komandantë rusë, Nënkolonel Dmitry Safronov dhe Nënkolonel Denis Glebov.
Më vonë informuan se kanë rimarrë edhe aeroportin në Mykolaiv.
Ushtria e Ukrainës vlerëson se ushtria ruse ka humbur rreth 11.000 trupa që janë vrarë në luftime, si edhe 1.000 automjete të blinduara, 290 tanke, 68 helikopterë, 46 avionë dhe dhjetëra pajisje të tjera.
Rusia pranoi në heshtje humbjen e dy komandantëve të tjerë, kolonelit Konstantin Zizevsky dhe nënkolonelit Denis Glebov, funeralet e të cilëve u mbajtën në Rusi në fundjavë./m.j