Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë, pasi koalicioni ku ai bën pjesë, “Shtëpia e Lirisë” u rendit si forcë e dytë në zgjedhjet e pjesshme lokale.
Nëpërmjet një deklarate, Berisha falënderon mbështetësit, ndërsa komenton dhe rezultatin në Shkodër, ku kandidati I tij, Bardh Spahia po kryeson ndaj PS dhe PD. Ai e cilëson këtë bashki si “Rozafa e Lirisë”, dhe I bën thirrje të gjithë demokratëve t’i bashkohen Komisionit të rithemelimit.
“Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike falënderon me mirënjohje të thellë, të gjithë demokratët dhe anëtarët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për mbështetjen e tyre të madhe në zgjedhjet e 6 Marsit.
Një falenderim për Shkodrën dhe qytetarët e saj të cilët me mbështetjen e tyre për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Bardh Spahia, dëshmuan se Shkodra si gjithnjë mbetet Rozafa e lirisë së shqiptarëve.
Në këto zgjedhje ne u përballëm jo vetëm me kreun e Meduzës, por edhe me shtojcat e tij, që duan ta mbajnë Partinë Demokratike opozitë fasadë, peng të regjimit.
Gjithsesi, vota e popullit opozitar tregoi qartë se demokratët dhe opozita e vërtetë nuk mund të nënshtrohen dhe nuk mund të merren peng. Ajo është gati për t’u ringritur plot besim dhe shpresë.
Vota e qartë e 6 Marsit tregoi se demokratët nuk duan t’i shkojnë pas në greminë, një kllouni që pas 6 humbjesh deklaron se nuk ka humbur kurrë dhe që provon se nuk do të arrijë të kalojë dot as pragun elektoral.
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, opozita e vetme dhe e vërtetë:
I bën thirrje të gjithë anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve, deputetëve që janë në Partinë Demokratike për shkak të idealeve dhe jo të interesave, t’i bashkohen vullnetit të popullit opozitar për një Parti Demokratike të Rithemeluar më të hapur, më të fortë dhe më të bashkuar”, shkruhet në deklaratë./m.j