Qeveria ukrainase e kë cilësuar si një vendim “cinik dhe jo praktik” propozimin e Rusisë për rrugët e evakuimit për civilët.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk e përshkroi propozimin rus si të papranueshëm, veçanërisht pasi të gjithë korridoret, përveç njërit, të çojnë në Rusi ose në aleatin e ngushtë, Bjellorusi.
Propozimi rus të hënën duket se nuk është përpunuar në konsultim me ndonjë organizatë ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara ose Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC). Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS tha se këto organizata ishin njoftuar, por rrugët e shpallura nuk kanë gjasa të shihen si praktike nga shumë njerëz.
Të gjithë, përveç njërit prej korridoreve, i lënë civilët në një të ardhme të pasigurt në Rusi ose Bjellorusi, ndërsa disa prej rrugëve do të kalonin nëpër zona të konfliktit aktiv. TASS tha se pasi të arrinin në Rusi, civilët do të zhvendoseshin me “transport ajror, hekurudhor dhe rrugor në destinacione të zgjedhura ose pika akomodimi të përkohshëm”.
Njoftimi gjithashtu duket se është përshtatur si një ultimatum për autoritetet ukrainase, pikërisht në momentin që një raund tjetër bisedimesh do të fillojë.
“Ne kërkojmë nga pala ukrainase të përmbushë rreptësisht të gjitha kushtet për krijimin e korridoreve humanitare në drejtimet e listuara dhe të sigurojë një tërheqje të organizuar të civilëve dhe qytetarëve të huaj”, thuhet në njoftim, sipas TASS./m.j