Rusia nuk duhet të përfitojë nga ky korridor humanitar për të çuar përpara trupat e saj, ka paralajmëruar zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk. Ajo tha se qeveria e saj po “verifikonte” informacionin se trupat ruse po përdornin armëpushimin për t’u afruar me pozicionet ukrainase në zonat përgjatë rrugëve të evakuimit.
“Ne po e përdorim këtë kanal për të evakuuar civilët gra dhe fëmijë si dhe për të dërguar ngarkesa humanitare për ata që kanë mbetur,” tha ajo. “E gjithë bota po shikon.”
Vereshchuk konfirmoi gjithashtu se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ndërmjetësoi bisedimet për armëpushimin dhe do të kryesojë kolonat e evakuimit përgjatë rrugëve të dakorduara jashtë qyteteve.
Armëpushimi është në fuqi rreth qyteteve Mariupol dhe Volnovakha nga ora 09:00 -16:00.
BBC bën me dije se sipas afatit kohor të dhënë nga këshilli i qytetit, janë organizuar autobusët e parë për të lëvizur njerëzit në siguri nga tre lokacione në qytet duke filluar nga ora 11:00 me orën lokale.
Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, tha: “Negociatat e armëpushimit vazhduan gjatë natës”. Marrëveshja u vendos vetëm pak orë më parë dhe ne konfirmuam se armëpushimi do të fillojë në orën 11.
“Ne filluam menjëherë procedurat për të evakuuar qytetarët. Rreth 5 deri në 6 mijë qytetarë do të largohen me autobus për në Zaporizhzhia. “Njerëzit mund të largohen edhe me makinë private. Ne mendojmë se gjithsej 7-9000 persona mund të largohen me autobus dhe me makina, nëse armëpushimi nuk do të shkelet.”
g.kosovari