Forcat ruse goditën të premten centralin bërthamor në Zaporizhia, centrali më i madh bërthamor në Evropë, gjatë betejës për të vënë nën kontroll një qytet kyç për furnizimin e Ukrainës me energji elektrike.
Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave në Ukrainë, zjarri ka rënë në një objekt që shërbente për trejnime dhe deri tani nuk është vënë re ngritje e nivelit të rezatim përreth.
Njoftimet e para ishin kontradiktore. Zëdhënësi i centralit bërthamor në Zaporizhia, Andriy Tuz, i tha televizionit ukrainas se predhat ranë direkt në centralin dhe në një prej 6 reaktorëve të tij ka rënë zjarr. Reaktori ishte duke u rinovuar dhe nuk ishte në funksionim tha zëdhënësi, por kishte lëndë bërthamore brenda.
Zjarrfikësit, sipas zotit Tuz, nuk mund të afroheshin, për shkak të bombardimeve nga forcat ruse. Më pas ata u lejuan të shkojnë për të fikur zjarrin.
Centrali në Zaporizhia plotëson rreth 25 për qind të nevojave të Ukrainës për energji elektrike./VOA
/b.h