Vijojnë ditët e “vështira” për oligarkët rusë. Sulmi i Moskës në Ukrainë ka sjellë ndër të tjerat sanksione të aseteve që miliarderët afër Vladimir Putin kanë në Perëndim.
Pas sekuestrimit të jahtit 600 milionë dollarësh nga autoritetet gjermane në pronësi të oligarkut Usmanov, sot është radha e autoriteteve franceze, që kanë bllokuar një tjetër perlë të teknologjisë detare, në pronësi të atij që sipas disave ka gjasa të jetë njeriu më i pushtetshëm në Moskë, normalisht pas Putin.
Bëhet fjalë për “carin” e naftës ruse, CEO dhe president i Rosneft, ai Igor Sechin që ka ndjekur Putin në gjithë karrierën e tij politike.
I lindur në Leningrad, sot Shën Petersburg, si Putin, zyrtarisht deri në rënien e Bashkimit Sovjetik si profesion kishte atë të përkthyesit nga frëngjishtja dhe portugalishtja, që i ka shërbyer shumë në misionet e tij të shpeshta në Mozambik. Një “karrierë” e afërt me atë të Putin në Gjermani, aq sa shumë mendojnë se ai është në fakt “dora” e vërtetë e ish-KGB-së në politikën ruse.
Shef i kabinetit i Putin kur ai ishte thjesht kryebashkiaku i Shën Petersburgut, Sechin e ndoqi atë gjatë gjithë ngjitjes politike deri në postin më të lartë në Kremlin, duke mbajtur vetë edhe postin e zëvendëskryeministrit.
Por pushtetin e tij të vërtetë, si dhe pasurinë e frikshme, Sechin e ka arritur me drejtimin e kompanisë shtetërore të naftës Rosneft, veçanërisht pasi kjo kompani “përpiu” edhe asetet Yukos, ish-kompanisë së oligarkut kritik ndaj Putin, Mikhail Khodorkovsky, i burgosur nga viti 2003 deri në 2013.
Jahti i sekuestruar nga francezët ka një histori interesante. Emri i tij fillestar ka qenë Princess Olga, emri gruas së tij të dytë Olga Rozhnikova. Por kur Olga në vitin 2017 vendosi të ndahet nga miliarderi, ai ndërroi emrin në True Love, pra “dashuri e vërtetë”.
/a.r