Bashkimi Evropian është pajtuar për të ofruar mbrojtje të përkohshme për qindra mijëra refugjatët që hyjnë në bllokun evropian, teksa tentojnë t’i ikin pushtimit rus dhe bombardimeve në qytetet përreth Ukrainës.
Komisionarja e BE-së për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson e ka konsideruar vendimin “historik” më 3 mars, pas një takimi që ka zhvilluar me ministrat e 27 vendeve anëtare.
“Vendim historik, tani. BE-ja do të ofrojë mbrojtje të përkohshme për ata që i ikin luftës në Ukrainë”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.
E ashtuquajtura Direktiva për Mbrojtje të Përkohshme, aplikohet për ukrainasit dhe personat që kanë pasur vendbanim Ukrainën, si dhe për familjarët e tyre që janë zhvendosur nga konflikti.
Personat që nuk kanë shtetësi ukrainase, apo personat që kanë jetuar ilegalisht në Ukrainë, të cilët nuk mund të kthehen në vendin e origjinës, do të përfshihen po ashtu në skemë, ka thënë BE.
Mbrojtja e përkohshme do të zbatohet menjëherë dhe do të zgjasë një vit. Ajo mund të vazhdohet automatikisht për periudhë gjashtëmujore. Kombet e Bashkuara kanë thënë më 3 mars se teksa konflikti ka hyrë në ditën e tetë, më shumë se 1 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina.
Rreth 600,000 prej tyre kanë kaluar kufirin me Poloninë, vend anëtar i BE-së. Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./R.E.L/m.j