Nga Ardit Rada
E ndërkohë që reformimi i drejtësisë është më pranë se kurrë sa i përket formalizimit dhe nisjes së punës së shumëpritur nga ndërkombëtarët dhe qytetarët shqiptarë, duket se retorika politike po përpiqet ta bllokojë procesin duke i mëshuar gjithnjë e më shumë pikës se nuk ka konsensus politik.
Në fakt, është opozita ajo që duke frekuentuar tryezat një herë po dhe një herë jo, javën që lamë pas doli në përfundimin se drejtësia po kapet nga mazhoranca. Ndërsa refuzoi te merrte pjesë në tavolinën e ekspertëve për të përpiluar draftin që do të marrë dhe bekimin e ‘Venecias’, ekspertët e Partisë Demokratike dita-ditës po hedhin tezën se synimi i draftit është kapja e sistemit të drejtësisë dhe në veçanti emërimet e juristëve të lartë.
Vlen të theksohet se pretendimi për një kapje të mëtejshme të drejtësisë është një farsë që ka si qëllim vetëm frenimin e procesit. Do të ishte abuzive të thuhej se kjo kohë i duhet mazhorancës së djeshme për të mbyllur çështje apo për të ndarë kush është i nënës dhe kush i njerkës, por diçka nuk shkon kur 84 vota për të bërë zgjedhjet e organeve të drejtësisë sërish u duken pak demokratëve.
Ndërkohë që opozita drejton gishtin për një kapje të drejtësisë, pyetja shtrohet sesi një mazhorancë që ka dy qëndrime të ndryshme mund të kapë sistemin? Tashmë është e ditur nga tryezat e takimeve dhe qëndrimet publike se LSI ka një draft alternativ, të ndryshëm nga ai i socialistëve të Edi Ramës.
Gjithashtu, opozita e sotme nuk mund të pretendojë për një kapje kur dy prej figurave kryesore të Drejtësisë, sipas draftit të përpiluar, do të vijojnë funksionin e tyre të paktën edhe për një vit. E pra, janë pikërisht kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori dhe kryeprokurori Adriatik Llalla të zgjedhur nga Partia Demokratike të cilët do të vijojnë të ushtrojnë funksionet e tyre dhe të garantojnë kështu një balancë politike (?!).
Nëse 3/5 e Kuvendit nuk i duket një shumicë e mjaftueshme për të siguruar një sistem gjyqsor transparent dhe apolitik, ç’mund të themi për zgjedhjet që Berisha bëri dikur me më pak se 75 vota të Presidentit, Kryeprokurorit, KLD-së, kreut të KLSH-së dhe krerëve të gjykatave më të rëndësishme të vendit? Demokracia është shumicë. Lum ai popull kur shumicën s’e ka një parti e vetme.