Gjatë vizitës së shkurtër në Varshavë ku u takua me homologun polak, Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson mori pyetje edhe nga një gazetare ukrainase, e cila u përlot teksa po fliste për luftën që po ndodh në Ukrainë.
Ajo i kërkoi ndihmë Kryeministrit Johnson për Ukrainën.
“Ju flisni për stoicizmin e popullit ukrainas, por gratë dhe fëmijët ukrainas janë të frikësuar nga bombat dhe raketat. Populli ukrainas kërkon me dëshpërim që Perëndimi të mbrojë qiellin tonë. Ne kërkojmë zonën e ndaluar për fluturime, për të cilën ju thoni se do të shkaktojë Luftën e III Botërore, por cila është alternativa? Që të vëzhgoni? Ju vini në Poloni, por nuk vini dot në Kiev, Kryeministër, nuk vini në Lviv sepse keni frikë. NATO ka frikë nga Lufta e III Botërore, por tashmë ka filluar”, tha gazetarja ukrainase.
Nga ana tjetër, Kryeministri Johnson u përgjigj: “Më vjen mirë që keni ardhur këtu, jam shumë i vetëdijshëm se nuk po bëjmë mjaftueshëm që t’ju ndihmojmë në mënyrën që ju dëshironi, por duhet të jem i sinqertë. Kur flisni për një zonë ndalimi të fluturimeve, implikimi në këtë gjë do të thotë që Mbretëria e Bashkuar të angazhohet për të rrëzuar avionët rusë, dhe këtë gjë nuk mund ta bëjmë. Pasojat e këtij veprimi do të ishin shumë të vështira për t’u kontrolluar”.
/a.r