Për juristin e njohur Ksenofon Krisafi, krahasimi që Vladimir Putin i bën Krimesë me rastin e Kosovës është absurd. Duke folur për ‘Kontrast’ në Report TV, ai solli edhe argumentet pse udhëheqja ruse gabon kur përmend Kosovën dhe Ballkanin.
“Nuk ka paralelizëm mes makinerisë propagandistike të Putinit dhe rastit të Kosovës. Rasti i Kosovës ka të bëjë me fatin e një populli që ka luftuar për liri e pavarësi dhe që është përpjekur ta sigurojë këtë me një luftë të pandërprerë. Ndërsa rasti i Krimesë ndodhi një ditë pa pritur kur udhëheqja qendrore e Rusisë gjykoi se duhet ta bënte të veten. Argumente juridike formale mund të gjente, por që për mua nuk qëndrojnë” – tha ai.
Ndërkohë, Krisafi komentoi edhe dy kërkesat e Vladimir Putin për Ukrainën. Ky i fundit tha sot se Moska kërkon me ngulm demilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës.
“Këto janë absurde. Sa i përket demilitarizimit dhe denazifikimit të Ukrainës unë do të jepja dy shembuj nga e shkuara historike. Kur tre të mëdhenjtë e botës vendosën të themelonin OKB-në, udhëheqja sovjetike e asaj kohe kërkoi me insistim që anëtarë themelues përveç BRSS të ishin dhe dy shtetet e saj, Bjellorusia dhe Ukraina. Për të dyja këto udhëheqja sovjetike nxorën si argumente se ato ndodhen në vijën e parë të luftës me nazistët hitlerianë dhe sakrifikuan miliona jetë. Ky argument i avancuar nga ish-BS gjeti vend dhe u zbatua. Bashkësia Ndërkombëtare e personifikuar në OKB e quajti me vend këtë lloj arsyetimi” – tha Profesor Ksenofon Krisafi për ‘Kontrast’ në Report TV.