Vetëm disa orë pas mbylljes së raundit të parë të bisedimeve mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë për zgjidhjen e krizës, palët kanë bërë me dije se ku do të mbahet takimi i radhës.
Sipas kreut të delegacionit rus, Vladimir Medinsky, delegacionet kanë rënë dakord që bisedimet e radhës të zhvillohen pas disa ditësh, kësaj here në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë.
Përpara se të shkojnë në këtë takim, të dy delegacionet do të bisedojnë me liderët e tyre pozicionimet dhe kërkesat e palëve në negociatat e zhvilluar në Bjellorusi.
Pritjet për zgjidhje paqësore nuk kanë qenë të larta.
Ukraina ka thënë se dëshiron armëpushim dhe tërheqje të ushtrisë ruse, derisa Kremlini ka thënë se nuk do ta bëjë publik qëndrimin e tij.
Mykhailo Podoliyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyi ka thënë pas takimet se negociatat janë të vështira, por pa ndonjë ultimatum detyrues.
“Fatkeqësisht, pala ruse është ende tejet e njëanshme sa i përket procesit shkatërrues që ka nisur”.
Negociatorët rusë kanë përmendur arritjen e një marrëveshjeje që është në interesin e të dyja palëve.
Vladimir Medinsky, udhëheqës i delegacionit rus, ka thënë se takimi i ri do të zhvillohet në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka biseduar të hënën me presidentin rus, Vladimir Putin, duke përsëritur thirrjet ndërkombëtare për Moskën që t’iu japë fund sulmeve ndaj Ukrainës, sipas një deklaratë të lëshuar nga Presidenca franceze.
Në të është thënë edhe se Macron ka theksuar nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm.
Presidenca franceze ka thënë se Macron i ka kërkuar liderit rus që të ndalë të gjitha sulmet kundër civilëve dhe ndërtesave, të ruajë infrastrukturën civile dhe të garantojë sigurinë në rrugët kryesore.
Putin ka konfirmuar gatishmërinë e tij ndaj këtyre kërkesave, është thënë në deklaratë.
Megjithatë, në një deklaratë të lëshuar nga Kremlini për të njëjtën bisedë telefonike, është përmendur se Putin i ka thënë Macronit se “zgjidhja është e mundshme vetëm nëse merren parasysh interesat legjitime të Rusisë për sigurinë – duke përfshirë njohje dhe sovranitetin rus në Krime si dhe një zgjidhje për objektivat rreth çmilitarizimit dhe denazifikimit të shtetit ukrainas dhe garancisë se do të ketë status neutral”.
Franca ka thënë në deklaratë se Macron i ka kërkuar po ashtu homologut rus që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vijim për të parandaluar përshkallëzimin e luftës.
Sipas deklaratës, palët janë pajtuar në këtë pikë. Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./m.j