Ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Putin deklaron se bisedimet me Ukrainën janë planifikuar për në mesditë me orën e Moskës. Bisedimet në fjalë do të mbahen pranë kufirit Ukrainë-Bjellorusi, ndërsa parashikohet të fillojnë në mesditë me orën e Moskës (04:00 ET), njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS. Vladimir Medinsky, i cili drejton delegacionin e Kremlinit, tha se ekipi i tij ishte “gati për negociata menjëherë pas mbërritjes së tyre (të palës ukrainase).
Ndërkohë, agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA-Novosti citoi Medinsky duke thënë se logjistika për delegacionin ukrainas ishte “shumë e vështirë”.
Po ashtu ai ka zbuluar edhe detaje nga takimi që pritet të mbahet sot. Dy delegacionet do të takohen pranë lumit Pripyat në kufi. Zyra e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tha se presidenti bjellorus Alexander Lukashenko e telefonoi homologun e tij të dielën dhe i ofroi garanci sigurie, duke thënë se “kishte marrë përgjegjësinë për të siguruar që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e stacionuara në territorin bjellorus do të qëndrojnë në terren gjatë udhëtimit të delegacionit ukrainas”.
Takimi i planifikuar i së hënës pason me një mori deklaratash nga ana e Kremlinit, i cili pretendoi më parë se pala ukrainase kishte kundërshtuar propozimin e Rusisë për t’u takuar në Bjellorusi dhe më pas kishte hequr dorë nga kontaktet. Zyra e Zelensky mohoi pretendimet se Kievi refuzoi të negocionte.
/b.h