Nga Ardian Vehbiu
Para ca ditësh një vajzë e re vrau veten në Tiranë, në rrethana të paqarta. Ngjarja e rëndë u përcoll gjerësisht nga mediat, edhe pse në mënyrë shumë të cekët, sikurse pritet.
Një vajzë e re e vret veten për një traumë shpirtërore, depresioni ose një çrregullim tjetër mendor, fundja edhe një situatë që së ndierës i është dukur pa rrugëdalje.
Nëse publikut i tërhiqet vëmendja për këtë ngjarje, në vetvete shumë të hidhur për familjarët dhe miqtë e viktimës, arsyeja për këtë do të ishte, të themi, për një kritikë ndaj vetmisë së të rinjve në një qytet të madh, ose në epokën e miqësive dhe lidhjeve virtuale të rrjeteve sociale; ose një kritikë ndaj faktit që personat me probleme mendore ndihen të braktisur nga shoqëria për shkak të stigmës që i përcjell këto probleme; ose fundja edhe për të denoncuar presionin, ndaj individit, të një modeli politik, ekonomik dhe social që hiqet si i mbështetur mbi individualizmin, por në fakt individit ia merr frymën të parit, duke ia kufizuar lirinë në emër të konformizmit total. Temë tjetër kjo, gjithsesi.
Nuk pres nga mediat shqip që të merren me analiza të tilla – u mungon edhe kapaciteti intelektual, edhe interesi editorial, edhe besimi se ashtu mund të tërheqin publikun dhe të lumturojnë pronarët, sponsorët dhe stakeholder-ët e tyre.
Megjithatë, pres prej tyre një fije njerëzillëku, nuk po them mëshire, ndaj një viktime e cila, pa dëshirën e saj, përfundoi në qendër të vorbullës së vëmendjes mediatike.
Imazhi më poshtë është klipuar nga faqja online e një gazete nga më kryesoret në Tiranë. Vizitorit i ofrohen tri foto të ndryshme të viktimës, ndoshta të marra dhe të përdorura pa lejen e familjarëve.
Imazhe të pranëvëna vajzash të pashme – ku tjetër jemi mësuar t’i shohim këto?
Natyrisht, në rubrikat “soft”, të cilat kapin një pjesë të madhe të faqeve ueb të mediave shqip; dhe ku estetika e selfie-t dhe e fotos me një pozë plastike lehtësisht erotike kërkon të funksionojë si karrem, për vizitorin e faqes.
Kjo teknikë pranëvënieje ose e ndërtimit të një sintagme fotogramatike, që përndryshe mbizotëron në seksionet soft-porn të këtyre sajteve, vjen e bëhet ofensive deri në agresivitet, kur vjen puna për t’i treguar vizitorit portretin – në fakt të panevojshëm – të një vajze tashmë të vetëvrarë.
Për më tepër, efekte të tilla sot nuk përftohen më si rezultat i një vendimi editorial, të themi, të një kastraveci; ose të një personi që nuk e kupton se një vajzë e bukur e vdekur nuk mund të trajtohet në lajm me të njëjtën teknikë dhe stil si moshatarja e saj ende e gjallë, por e zhveshur (gjysmë) lakuriq. Ato i detyrohen, përkundrazi, vetë mënyrës si funksionon faqja.
Dhe pikërisht, kombinimit – këtë herë djallëzor – të dy teknikave që veç e veç mund të duken të pafajshme: e para, që çdo lajm duhet të shoqërohet doemos me një foto ilustruese, e cila shpesh nuk i shton asgjë lajmit përveçse të kushtëzojë lexuesin; dhe e dyta, që në fund të një lajmi, softueri i faqes zgjedh dhe rendit dy tre lajme ose shkrime me temë të ngjashme.
Që vajza e vetëvrarë ishte edhe e bukur, kjo kushedi mund të ketë pasur lidhje me vendimin e saj fatal; bukuria, veçanërisht në moshë të re, më shumë duhet përballuar si stres i një lloji të veçantë, sesa shijuar, si një fitore në lotarinë e gjeneve: dhe ja një temë për t’u trajtuar në mediat; sepse tregu dhe këmbëngulja për t’i themeluar modelet sociale mbi look-un i mëshon pikërisht asaj pabarazie gjenetike, ndër vajzat por edhe ndër djemtë, e cila nuk mund të zhbëhet; duke e dënuar modestinë në pamje me heshtje, hije dhe – në rastet e bullizmit – nëpërkëmbje.
Por mediat sot, dhe veçanërisht ato të Tiranës, e përdorin madje abuzojnë bukurinë fizike femërore – të fytyrës, të trupit, të look-ut – si një lloj ornamenti, për t’ia bërë ditën më të këndshme vizitorit klikues; dhe e bëjnë këtë mu nën hundën e institucioneve dhe të watchdogs gjithfarësh, përfshi këtu edhe OJQ të mirë-financuara, me synime të deklaruara për të çuar përpara kauzën feministe mes shqiptarëve.
Deri këtu, gjëra që dihen. Por ja që ndodh edhe që mekanizmi “logjik” i funksionimit të një faqeje ueb dështon në mënyrë spektakulare, dhe arrin të bashkojë, në një varg të vetëm fotogramatik, erotofilinë trash me nekrofilinë, po aq trash, të mediave në ueb; dhe ta bëjë këtë praktikisht pa ndërhyrjen e një njeriu të gjallë, të një redaktori, të një “avokati të publikut” – ose edhe thjesht të një faktori që merr parasysh njerëzillëkun, ose decencën.
Çfarë për mua është provë se sistemi i komunikimit mas-mediatik online, sa i përket sferës shqip, nuk mund të shpëtohet më – meqë tani është softueri i përdorur vetë që prodhon trash edhe pa bashkëfajësinë e idiotëve ose inkompetentëve të radhës.