Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se për marrëveshjen që qeveria ka lidhur me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, është konsultuar me ekspertë amerikanë. Këto komente ai i bëri në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, ku tha se është i sigurt se Asociacioni i shumë-kritikuar nga opozita, nuk ka kompetenca ekzekutive.
“Kemi bërë përpjekje dhe gjatë gjithë dialogut që të konsultojmë ekspertizën. Ne asnjëherë nuk kemi vepruar vetëm, i kishim përkrah partnerët tanë. Jemi konsultuar me ekspertë të shumtë ndërkombëtarë dhe në çdo takim në Bruksel kemi pasur një ose dy ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët jemi konsultuar që Asociacionit të mos ketë pushtet ekzekutiv”, deklaroi Mustafa.