Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të enjten sanksione kundër 24 individëve dhe subjekteve bjelloruse, përfshirë ministrin e mbrojtjes, për shkak të mbështetjes të pushtimit rus të Ukrainës.
Administrata Biden kishte thënë se Minsku do të përballej me sanksione “të shpejta dhe vendimtare” nëse lejonte Rusinë të nisë një sulm ndaj Ukrainës nga territori i saj.
Mes atyre të shënjestruar nga sanksionet e së enjtes janë dy banka shtetërore bjelloruse – Belinvestbank dhe Bank Dabrabyt – si dhe Ministri bjellorus i Mbrojtjes Viktor Gennadievich Khrenin dhe Sekretari i Shtetit i Këshillit të Sigurimit të Bjellorusisë Aleksandr Grigorievich Volfovich.
“Duke shtypur aspiratat demokratike të popullit bjellorus, regjimi i Lukashenkës tani po rrezikon sovranitetin e Bjellorusisë duke mbështetur pushtimin e mëtejshëm të Rusisë në Ukrainë”, tha Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen në një deklaratë.
“Thesari vazhdon të prishë aftësitë ushtarake dhe financiare të Bjellorusisë përmes sanksioneve të synuara. Më tej, për shkak të ndërlidhjes midis dy vendeve, veprimet e Thesarit të ndërmarra kundër Rusisë sot do të imponojnë gjithashtu dhimbje të forta ekonomike mbi regjimin e Lukashenkës”, tha Yellen.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko folën në telefon të enjten, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve bjelloruse Belta.
CNN dëshmoi gjithashtu, përmes një videoje të drejtpërdrejtë, trupat mbi një kolonë automjetesh ushtarake që hynin në Ukrainë nga një pikë kufitare me Bjellorusinë të enjten./m,j