Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.
Në një postim në Twitter, Kuleba shkroi se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.
Ai tha se Ukraina do ta mbrojë veten dhe se “bota mund dhe duhet ta ndalë Putini”.
“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, tha Kuleba.
Ka gjithashtu raporte të shumta nga mediat lokale duke cituar Ministrinë e Brendshme të Ukrainës, e cila thotë se disa nga sulmet me raketa kanë sulmuar qendrat e komandës ushtarake të raketave të Ukrainës dhe selinë ushtarake në Kiev.
Ministria ruse e mbrojtjes ka mohuar të ketë sulmuar qytetet ukrainase – duke thënë se po synon infrastrukturën ushtarake, mbrojtjen ajrore dhe forcat ajrore me “armë të precizionit të lartë”.
Presidenti rus konfirmoi se ka nisur një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.
Shpërthime dhe të shtëna me armë u raportuan në Kiev dhe qytete të tjera.
Sipas raporteve nga agjencitë perëndimore të lajmeve, qytete të shumta janë nën sulm. CNN raportoi për shpërthime në së paku shtatë qytete.
Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë aeroportit kryesor “Boryspil” në Kiev, menjëherë pasi Rusia njoftoi për operacionin, bëri të ditur agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar mediat lokale.
Nuk është ende e qartë nëse forcat tokësore janë të përfshira në ndonjë aksion.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi atë që e quajti sulm “të pamatur” të Rusisë ndaj Ukrainës.
Ai njoftoi se aleatët e NATO-s do të mblidhen në takim për të diskutuar “agresionin rus”. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por është në linjë me Perëndimin.
“Kjo është shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike”, shkroi Stoltenberg në Twitter.
g.kosovari