Eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, i ka dërguar një letër presidentit të UEFA Aleksander Ceferini, që të anulojë zhvillimin e finales së Ligës së Kampionëve në Shën Petersburg të Rusisë pas vendimit të Putinit për pushtim të Ukrainës dhe ta përfundojë bashkëpunimin me Gazpromin rus.
Në letër, eurodeputetja Von Cramon së bashku me disa eurodeputetë të tjerë kanë kërkuar që Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s të ndal bashkëpunimin me Gazpromit rus si sponsor i UEFA-s.
“Pas situatës shqetësuese dhe kërcënimit për luftë të cilat po i provokon Rusia dhe vendimi nga presidenti Putin për të njohur dy rajonet seperatiste në Ukrainë, ne nënshkruesit e kësaj letra ju bëjmë thirrje juve personalisht dhe UEFA-s që të marrë veprime të përshtatshme dhe konsistente.
Ne ju bëjmë thirrje që të mos e konsideroni Shën Petersburgun dhe qytetet tjera ruse si vende për gara ndërkombëtare të futbollit dhe të zgjedhni si hap të parë dhe urgjent një tjetër lokacion për finalen e Ligës së Kampionëve më 28 maj 2022.
Për më tepër, ne apelojmë nga ju që të organizoni një mbledhje të veçantë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për të përfunduar bashkëpunimin me Gazpromin si sponsor i UEFA-s dhe të konsideroni sanksionet kundër zyrtarëve rusë të cilët janë bashkëkryerës në shkeljen e ligjit ndërkombëtar”, thuhet në letër./m.j