“Kujdes, se do të kërkoni qese për të blerë diçka dhe pas datës 1 qershor nuk do të ketë më.” Ka qenë kjo porosia e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro drejtuar fëmijëve dhe të rinjve në Velipojë.
Në një aktivitet për pastrimin e plazhit, shoqëruar nga Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali, Kumbaro tha se ligji për ndalimin e qeseve bëhet në emër të fëmijëve dhe të të rinjve për t’u siguruar një të ardhme pa plastikë.
“Ne po kalojmë një ligj në qeveri që nga data 1 qershor, në emër të fëmijëve dhe rinisë, do të ndalohen në Shqipëri qeset që i kemi nga të gjitha anët, si puna e këtyre qeseve këtu, qeset e dyqaneve, të supermarketeve. Nuk do të prodhohen, nuk do të importohen, nuk do të lejohen as të përdoren”, tha Kumbaro.
Duke iu referuar pastrimit të plazhit, ministrja u shpreh se ndotja vjen në pjesë të madhe pikërisht nga qeset plastike që janë të përhapura në territor.
“Shihni si vjen puna, ne jemi në shkurt dhe duhet të vijmë këtu në plazh të pastrojmë mbeturina që të tjerët i kanë lënë para nesh e për fat të keq as nuk janë hequr, as janë pastruar. Ne sot japim një kontribut të vogël, sidomos për të treguar që përtej mësimeve që i keni shumë të rëndësishme, lojërave, shëtitjeve, sporteve që patjetër duhet t’i bëni, jepni një kontribut si një model. Është duke ndodhur kjo gjë në çdo cep të Shqipërisë. Prej katër muajsh pastrojmë, pastrojmë, pastrojmë. Sa nuk është shumë vonë, t’i themi stop mbeturinave nga të gjitha anët dhe sidomos hedhjes së ambalezheve plastike nga të gjitha anët. Është helm që po i bëjmë vetes”, u shpreh Kumbaro.
/a.r