Maqedonia e Veriut më 19 shkurt ka regjistruar 22 viktima me COVID-19, 12 prej të cilëve në Shkup, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Numri i përgjithshëm i viktimave me koronavirus ka arritur në 8,891.
Rastet e reja bazohen në testimin e 4,078 mostrave. Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, 1,140 persona janë shëruar, ndërsa numri i rasteve aktive është 7,821.
Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ka thënë se masat shtrënguese mund të hiqen në rast të përmirësimit të gjendjes epidemiologjike.
Ai ka thënë se certifikatat për vaksinim mund të anulohen nëse imunizimi i popullsisë arrin në 70 për qind.
“Situata epidemiologjike në të gjithë Maqedoninë e Veriut është në rënie të lehtë. Pra, vala e katërt është në rënie e sipër. Por, niveli i vaksinimit dhe imunizimit të plotë te ne është më i ulët se në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ne duam rezultate pozitive nga analiza epidemiologjike, që ka të bëjë me testimin e rastësishëm, që më pas të shfuqizohen masat. Nëse marrim rezultate pozitive, sipas të cilave do të jetë mbi 70 për qind e totalit të imunizimit në vend, atëherë do të fillojmë relaksimin dhe lehtësimin e masave”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet edhe testimi i nxënësve nëpër shkollat fillore pas informacioneve për rritjen e të infektuarve të fëmijëve nga mosha 6 deri më 14 vjeç.
Mësimi zhvillohet me prani fizike në arsimin fillor dhe të mesëm, dhe pavarësisht rritjes së rasteve, institucionet mbeten në qëndrimin që nxënësit duhet mësimin ta ndjekin në shkolla./REL