Premtimi i presidentit Zelenskiy: Do mbrohemi me çdo mënyrë. Ukraina, “mburoja” e Evropës kundër ushtrisë ruse!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i është bashkuar thirrjeve të liderëve perëndimorë që Rusia të shtensionojë situatën, pas grumbullimit të mbi 150,000 trupave përgjatë kufijve të Ukrainës, që ka rritur frikën se Moska po përgatitet ta pushtojë fqinjin e saj.

Zelenskiy tha në Konferencën për Siguri të Mynihut se Ukraina do ta mbrojë tokën e saj me apo pa ndihmën e partnerëve pasi Ukraina është “mburoja” e Evropës kundër ushtrisë ruse dhe Kievi meriton mbështetje më të fortë ndërkombëtare.

Këto komente ai i bëri pas një takimi që zhvilloi në margjinat e kësaj konference me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris. Kjo e fundit, tha në Konferencën e Mynihut se çdo pushtim i mëtejmë i Ukrainës nga Rusia do të pasohet me forcimin e krahut lindor të NATO-s dhe se Moska do të përballej me pasoja “të paprecedentë”.

“Ne nuk do të ndalemi me masat ekonomike. Ne do të forcojmë më tej aleatët tanë të NATO-s në krahun lindor” në përgjigje të një pushtimi, tha Harris më 19 shkurt, teksa mori pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.

Në rast të sulmit rus, Harris po ashtu paralajmëroi se Rusia do të përballej me kosto financiare të “paprecedentë” dhe shtoi se një sulm i tillë do të afronte aleatët evropianë më shumë me SHBA-në.

Këto komente të Harris erdhën një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se është i “bindur” se presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendimin që ta pushtojë Ukrainën.

Perëndimi thotë se Rusia ka grumbulluar mbi 150,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën dhe se Moska po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën, por Kremlini hedh poshtë këto pretendime, duke thënë se nuk ka plane të tilla.

“Më lejoni të jem e qartë kur them me siguri absolute: Nëse Rusia e pushton më tej Ukrainën, Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët dhe aleatët tanë, do të vendosim kosto të mëdha ekonomike dhe të paprecedentë”, tha Harris.

Zelenskiy tha në Mynih se fuqitë perëndimore duhet të heqin dorë nga ajo që ai e quajti politikë “e butë” karshi Moskës.

“Ukraina ka pranuar garanci të sigurisë për braktisjen e arsenalit të tretë më të madh bërthamor në botë. Ne nuk kemi armë. Dhe as siguri… Por, ne kemi të drejtë – të drejtën që të kërkojmë nga një politikë e butë në një politikë që garanton siguri dhe paqe”, tha ai.

Bota ka dështuar karshi Ukrainës sepse arkitektura e sigurisë nuk mund të rregullohet, tha Zelenskiy.

“Arkitektura e sigurisë së Evropës është pothuajse e shkatërruar. Është shumë vonë që të flasim për rregullimin e saj”, tha ai.

Lideri ukrainas kritikoi shtetet që nuk i kanë ofruar ndihmë ushtarake Kievit, duke thënë se ndihma e dhënë deri më tani ishte më shumë “si një shurup për kollitje sesa një vaksinë e mirë për COVID-19” kundër një kërcënimi real, që mund të zgjerohet nëpër Evropë, pasi ta ketë goditur së pari Ukrainën.

“Për tetë vjet, Ukraina ka shërbyer si mburojë. Një mburojë e besueshme që ka frenuar një nga ushtritë më të mëdha në botë”, tha ai.

Harris: SHBA-ja kërkon zgjidhje diplomatike për krizën

Gjatë konferencës në Mynih, nënpresidentja Harris tha se administrata Biden, së bashku me aleatët, ka kërkuar që të angazhohet në vullnet të mirë me Moskën që të gjendet një zgjidhje diplomatike, por Kremlini nuk ka pasur vullnet të mirë.

“Rusia vazhdon të thotë se është e gatshme për bisedime, por në të njëjtën kohë ngushton rrugët për diplomaci”, tha Harris.

“Veprimet e tyre thjesht nuk përkojnë me fjalët e tyre”, shtoi nënpresidentja amerikane.

Ndërkaq, kryeministri britanik, Boris Johson, gjatë kësaj ngjarjeje të zhvilluar në Mynih të Gjermanisë, tha se nëse shtetet perëndimore dështojnë të mbajnë premtimet e tyre për mbështetjen e pavarësisë së Ukrainës, do të kishte pasoja në mbarë botën, përfshirë edhe Tajvanin.

“Çdo herë kur ministrat perëndimorë kanë vizituar Kievin, ne e kemi siguruar popullin e Ukrainës dhe liderë e tyre se ne mbështesim sovranitetin dhe pavarësinë e tyre”, tha Johnson.

“Nëse Ukraina rrezikohet, tronditja do të bëjë jehonë në mbarë botën. Dhe ato jehona do të dëgjohen në Azinë Lindore, do të dëgjohen në Tajvan”, shtoi ai.

Stoltenberg i bën thirrje Rusisë të ndalojë përgatitjet për luftë

Më herët gjatë të shtunës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Rusisë që të tërheqë trupat nga kufirin me Ukrainën dhe të punojë për zgjidhjen e krizës në mënyrë paqësore.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Stoltenberg tha se deri më tani nuk kanë parë sinjale që mbështesin pretendimet e Moskës se ka filluar tërheqjen e trupave pranë Ukrainës, por sipas tij, po ndodhë e kundërta.

“Ne i bëjmë thirrje Moskës që të bëjë atë që po thotë se po bën, të tërheqë trupat nga kufijtë e Ukrainës. Ky do të ishte një hap i parë i rëndësishëm drejt një zgjidhjeje paqësore. Nuk është vonë për Rusinë që ta ndryshojë kursin, të tërhiqet, të ndalojë përgatitjet për luftë dhe të fillojë që të punojë për një zgjidhje paqësore”, tha Stoltenberg.

Ai tha se grumbullimi ushtarak në dhe përreth Ukrainës është më i madh që prej Luftës së Ftohtë.

Moska ka pretenduar se ka nisur tërheqjen e trupave nga kufirin me Ukrainën, por NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk kanë parë sinjale të tilla.

“Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, por rreziku për konflikt është real. Aleatët e NATO-s po vazhdojnë përpjekjet e tyre të fuqishme diplomatike për të gjetur një zgjidhje politike”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg tha se i ka dërguar ftesë ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov që të takohet së bashku me NATO-n dhe aleatët e saj në kuadër të Këshillit NATO-Rusi, teksa shtoi se aleanca ushtarake po vazhdon përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje politike.

Duke folur për kërkesat e sigurisë të prezantuara nga Rusia, Stoltenberg tha se Moska e di që disa kërkesa nuk mund të realizohen.

“Rreziku tani është kombinimi i këtij grumbullimi masiv ushtarak me retorikën kërcënuese, duke vendosur përpara kërkesa që ata e dinë se ne nuk mund t’i plotësojmë e duke thënë: ‘Nëse ju nuk i plotësoni këto kërkesa, do të ketë pasoja ushtarake’”, tha Stoltenberg.

“Kjo është normalja e re, ku kemi Rusinë që haptazi konteston vlerat thelbësore për sigurinë evropiane dhe më pas tregon vullnetin për të përdorur forcën ose kërcënon se do të përdorë forcë për të marrë atë që do”, tha ai.

Rusia ka kërkuar që NATO të mos e pranojë kurrë Ukrainën dhe që aleanca të tërhiqet nga Evropa Lindore dhe Qendrore. Stoltenberg vuri në pah se për herë të parë, Kina i është bashkuar Rusisë në thirrjet ndaj aleancës ushtarake që të mos pranojë anëtarë të rinj.

Ndërkaq, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë panelit në Mynih tha se Rusia rrezikon që të humbë prosperitet nëse e pushton Ukrainën, duke u zotuar se do të ketë një pako të sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Moskës në rast të ndonjë agresioni.

Ajo tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndalojë furnizimet me gazin rus.

“Mund të them se në rast të ndalesës me furnizimet me gaz nga Rusia, ne do të jemi të sigurt gjatë këtij dimri”, tha ajo.

Von der Leyen e akuzoi gjigantin rus të gazit, Gazprom se “qëllimshëm po tenton të dërgojë sa më pak furnizime, ndërkaq çmimet dhe kërkesat janë të mëdha”./REL

Next Post

Comments 1

  1. Lili says:

    Ju të armatoseni dhe të kërcënoni Rusinë dhe ajo t,ju shohë duarkryq.Kështu gjetët sebep në Irak për përdorimin e armëve kimike,po kështu në Libi,Siri etj. Ku bërë luftë të padrejtë, kundër këtyre popujve.S,mund t’i dua agresorët,por ju po bëni çdo gjë që të provokoni rusët.Qenkeni budallenj.Rusët dhe popujt që përbëjnë Federatën ruse kanë luftuar për çlirimin e Evropës plakë.Nuk pushton Rusia,por Amerika,NATO etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com